Home Aktuale Ish i përndjekuri kërcënoi të vetëdigjet me benzinë në studion e News24...

Ish i përndjekuri kërcënoi të vetëdigjet me benzinë në studion e News24 (Video)

138
0
SHARE

Të ftuar në rubrikën “Opionin” në televizionin News24, katër ish të përndjekur politikë – Kujtim Kaziu, Fatmir Hoxha, Seit Spahiu dhe Fatmir Lloci – kanë debatuar ashpër për ndërhyrjen e politikës në grevën e tyre të urisë. Ish të përndjekurit politikë protestojnë për afatin pa limit për marrjen e kësteve të fundit të dëmshpërblimit për vitet e burgut të kryera në kohën e komunizmit.

Në intervistën direkt në televizionin News24, Kaziu në debat e sipër nxori nga xhepi një shishe me benzinë dhe kërcënoi se do ndërmarrë akt ekstrem për indiferencën e shtetit përballë çështjes së të burgosurve politikë.

Një prej moderatorëve në studio, Ola Bruko tentoi t’i marrë shishen me benzinë, kurse regjia e News24 ndërpreu transmetimin deri në qetësimin e situatës.

Veprimi i Kaziut vjen pas një debati në studio mbi përplasjen që ish të përndjekurit kanë pasur gjatë grevës së urisë ditën e sotme. Në fund të debatit Kaziu qau për gjendjen e rënduar ekonomike të familjes së tij.

Ndërhyrja e deputetëve të PD-së në grevën e urisë ka irrituar disa prej të përndjekurve politikë. Disa nuk e dëshiruan përfshirjen e PD-së në protestën e tyre, kurse disa të tjerë thanë se kanë dhënë votën për këta politikanë dhe ata duhet të përgjigjen për kërkesat që bëjnë sot ish të përndjekurit politikë. /BW/