Home Aktuale INTERVISTË: KUR S’DËNON LIGJI, DËNON ALLAHU

INTERVISTË: KUR S’DËNON LIGJI, DËNON ALLAHU

100
0
SHARE

Nga Gent Mehmeti, Shkup 

I njohur si njeri që flet pa dorashka, Sulejman ef. Rexhepi iu përgjigj Expressit lidhur me skandalin e fundit që u liferua nëpër media të ndryshme e që kishte të bënte me kinse mallkimin që ai ua ka bërë piromanëve që kishin djegur xhaminë e Prilepit. Ai poashtu foli edhe për disa çështje që kanë të bëjnë me momentin aktual që po e kalon Islami dhe Bashkësia fetare Islame e Maqedonisë.

 

Express: Reis efendi, vetvetiu po me imponohet që këtë intervistë ta fillojmë me të ashtuquajturin skandal që këto ditë u aktualizua lidhur me vdekjen e një motoristi që paska marr pjesë në djegien e xhamisë së Prilepit. Çka është e vërteta? I keni mallkuar piromanët apo çka?

S. Rexhepi: E vërteta është krejtësisht tjetër, nga një arsye e logjikshme. Çdokush që është i shkolluar, mundet ta lexon tekstin e postuar ne Facebook sa herë të dojë dhe do ta sheh se nuk bëhet fjalë as për mallkim, as për ndjellje të urrejtjes, ai tekst nuk është mesazh, nuk është deklaratë, por është informim i besimtarëve myslimanë, sepse myslimanët 14 vjet për çdo ditë parashtrojnë pyetje për xhaminë e Prilepit. Të gjitha angazhimet tona kanë qenë në drejtim të nxjerrjes në pah të së drejtës. Mirëpo, ne gjithmonë kemi hasur në obstruksione. Edhe pse arritëm në marrëveshje me Qeverinë që xhamia e Prilepit të rindërtohet, edhe më tej nuk ka asgjë konkrete. Andaj unë shfrytëzova rastin të informoj myslimanët që ata që bënë atë zullum,All’llahu me madhërinë e vet, duke u mbështetur në ajetin 114 të Sures Bekare, i ka sanksionuar në formën e vet. Edhe ai i parafundit nga grupi prej 30 piromanëve që i vunë zjarrin xhamisë së Prilepit, ka udhëtuar. Nga ajeti kuranor kuptohet se atje ku nuk funksionon e drejta, shteti juridik, ka një absolut, e ky është Allahu Fuqiplotë.

Express: Mediat shpejtuan t’ju karakterizojnë si radikal islamist dhe të ironizojnë me islamin si fe jo tolerante, ndërkohë që ne ju njohim si teolog islam të moderuar.

S. Rexhepi: Këtu në Maqedoni drejtësia nuk është fare evidente, për shkak se në kushtetutë ka pesë bashkësi fetare të nominuara, prej të cilave, është e favorizuar vetëm Kisha Ortodokse Maqedonase. Nga ana tjetër ne, pra BFIM, vazhdimisht diskriminohemi. M’u për atë që unë nuk pajtohem me diskriminimin, jam për shumekënd i padëshirueshëm. Ani pse kam qëndrime krejt tjera, po bëhen përpjekje të etiketohem si kryeradikal. Bashkësia Fetare Islame ka arritur me sukses të mbikëqyr jetën fetare islame dhe të gjitha shtresat e teologëve t’i ketë në strukturë të përbashkët dhe të kenë gjuhë të përbashkët. Këtej, nuk kanë kënd të akuzojnë dhe më akuzojnë mua. Unë dhe radikalizmi jemi dy botëra që nuk mund të paramendohen, sepse çdoherë kam qenë transparent. Lëvizjet radikale i sulmoj, pasi islami nuk i pranon ato, ai nuk i pranon si element të vetin.

Express: Duhet ta pranoj se fotografitë që qarkulluan e në të cilat ju mbani një shpatë në dorë, shkaktuan komente të ndryshme. Ç’është e vërteta, dukeni tamam si sultan aty. A ka ndonjë porosi shpata në dorën tuaj?

S. Rexhepi: Unë kam të drejtë të vishem si sheik. Ajo është e drejta ime personale, që nuk guxon askush në jetë të ma konteston. Mundem të vishem si sulltan, sepse ka vende të posaçme ku bëhen këto fotografime. Është e vërtetë që kam qenë në promovimin e enciklopedisë islame në Stamboll dhe pas asaj ceremonie jam fotografuar. Kam bërë përpjekje të zgjedh formën të cilën ka pasur Sulltan Sulejmani. Nuk ka asgjë të keqe, sepse Sulejman ka pasur edhe profet. Në histori ka pasur Sulejman Sultan. Nuk kam pretendime t’i konkurroj hazreti Sulejmanit si profet, se profet nuk ka më. Por sikur të ishim në kohën e sulltan Sulejmanit do të kishte qenë normale të kem pretendime dhe qejf ti konkurroj atij, kush mund të ma ndalojë një gjë të këtillë?! Çështja e sulltanatit nuk është prej zotit, por nga njerëzit. Thjeshtë, kam shkuar të fotografohem, edhe emrin Sulejman e kam, pra ka qenë punë e imja private. Atij që e ka postuar në Facebook, i kam thënë mua kur të më përmendësh, më quaj thuaj sulltan Sulejman. Sa i përket shpatës, kjo nuk do të thotë asgjë. M’u edhe të më shohin ndonjë revole, nuk do të thotë ajo se kam pretendime të vrajë dikë.

Express: Jemi dëshmitar të paraqitjes dhe veprimit tani e një kohë më të gjatë të grupeve që propagojnë dhe predikojnë një islam ndryshe nga ai tradicional. A janë të ekzagjëruara muhabetet rreth këtyre grupeve apo ka diçka të vërtete?

S. Rexhepi: Kishte tendenca para disa viteve, në kohën e trazirave, sidomos pas konfliktit 2001. Ma merë mendja se ato nuk kishin arsye fetare islame, por dikush tentonte ta keqpërdorë islamin dhe të paraqitet se aj është që e predikon islamin autentik dhe se të gjitha gjeneratat e përparshme e paskan gënjyer këtë popull. Islami në këto troje është shumë shekullor dhe këtu nuk ka nevojë që dikush të bëjë thirrje në islam. Thirrje në islam mundet në ato mjedise ku nuk janë myslimanë, nesë dikush ka një autoritet të tillë. Këtu në veprimin praktik aplikohet shkolla juridike e Hanefive. Ne duhet të jemi gjenerata e kohës sonë e cila mbron dhe avancon islamin, e jo të ndjellim urrejtje, të ndajmë dhe të sulmojmë fetë tjera, sepse parimi islam është: fenë tënde zbatoje, të tjetrit respektoje.

Express: Radikalizmi brenda islamit. Si e shpjegoni atë dhe cili është qëndrimi i juaj dhe institucionit që udhëhiqni?

S. Rexhepi: Nuk ka radikalizëm. Në RM, me të gjitha institucionet që i ka, si shkolla e mesme, jashtëzakonisht kualitative, që përfshin dy gjinitë me 1300 nxënës, me më tepër paralele, si dhe fakultetit i shkencave islame që është tepër kualitativ, punojnë në këtë drejtim.

Express: Kemi qenë me vite dëshmitarë të përpjekjeve të Bashkësisë Islame dhe tuajat personalisht për t’i drejtuar padrejtësitë që i janë bërë këtij institucioni. Këto përpjekje përherë kanë imponuar edhe nevojën enjë bashkëpunimi me faktorin politik shqiptar në Maqedoni. Tani si qëndron situata?

S. Rexhepi: Ne jemi subjekt apolitik. Nuk veprojmë me programe të partive politike. Nuk bëjmë dallim mes subjekteve politike, qofshin ato shqiptare apo maqedonase. I respektojmë të gjitha ato që na respektojnë neve. Sa i përket elementeve etnike me përkatësi islame, është e logjikshme të kemi më tepër kontakte. Dimë të dallojmë subjektin politik që participon në qeveri. Me të nuk bashkëpunojmë si parti politike, por si pjesë e segmentit qeveritar. Këtu është dallimi. Dikush mund të fillon të na akuzon se ne jemi në shërbim të BDI-së ose PDSH-së. Megjithatë, ne kemi aq kulturë dhe me subjektin politik shqiptar që participon në qeveri për nevojat tona të përditshme kemi takime dhe bashkëpunim më të shpeshtë.

Express: Është me rrëndësi që në këtë situatë kur gjithkujt i lejohet të flasë gjithçka, pikërisht institucionet dhe liderët e tyre të japin orientimet dhe mendimet e drejta për proceset. Me siguri edhe ju lexoni se sa shumë vnerë e urrejtje derdhet ndaj besimtarëve myslimanë. Aq më shumë, jemi dëshmitarë edhe të akuzave të cilat rrezikojnë edhe të shkaktojnë përçarje brenda trungut tonë kombëtar.

S. Rexhepi: Unë kisha thënë se islami është pjesë e identitetit kombëtar. Ai i ka shërbyer dhe ka mbrojtur shqiptarët çështjen kombëtare në të gjitha vendet ku ka qenë I përzier. Jo rastësisht më kujtohet ish presidenti shqiptar, Bamir Topi, kur u takuam në Xhaminë e Larme. Edhe ai u prononcua se këtu të flasësh për islam, flet për shqiptarët. Dmth, identifikohet çështja kombëtare me atë fetare dhe anasjelltas. Dikush thotë se islami për ne është lëkurë e huaj për trupin tonë. Kjo është tmerr, kjo është katastrofë. Askush nuk i mban me lëkurë të huaj. Është mirë të ecin, të gjejnë lëkurën atje, jo të njollosin islamin dhe të na kryejnë shqetësime. Njerëzit e tillë janë njerëz të këqij, shpirtra të trazuar, të udhëhequr në të keqe dhe ne mundohemi të parandalojmë të keqen. Islami është fe universale, është apel universal botëror dhe prandaj kemi prej të gjitha kombeve në botë që janë myslimanë dhe identifikohen me islamin si fe. Nuk guxojmë ne të jemi të ngarkuar për fetë tjera. Ato kanë të drejtat e tyre. Ky është qëndrimi i BFI-së dhe çdo gjë tjetër është e huaja./Express/

LEAVE A REPLY