Home LAJME I Humburi nga Ranillugu, Gjendet afër Rumanisë

I Humburi nga Ranillugu, Gjendet afër Rumanisë

33
0
SHARE
  • Për gati dy javë familja Stoilkoviq nga Ranillugu nuk kanë ditur asgjë për vendndodhjen e djalit të tyre Milloshit.

    Por pas shumë ditësh pritjeje, familjarët më në fund kanë marrë një lajm të gëzuar për të.

    “Është gjetur në kufi me Rumaninë dhe për momentin gjendet te tezja në komunën e Paraqinit në Serbi”, tha për KALLXO.com komandanti i stacionit të policisë në Ranillug, Nebojsha Popoviq.

    24 vjeçari ishte larguar nga shtëpia të shtunën e kaluar dhe për herë të fundit ishte parë atë ditë rreth orës 18:00 në vendin e quajtur Crep në afërsi të kufirit me Serbinë, teksa mbante në krah një çantë dhe shkopin për peshkim, duke shkuar në drejtim të Bujanovcit.

    Mysafirët nuk ndalen së ardhuri në shtëpinë e Millosh Stoilkoviqit nga interesimi për të mësuar nëse ka të reja rreth fatit të të riut.

    Pak ditë më parë Natasha Stoilkoviq nëna e Milloshit tregonte se që nga e shtuna e 23 gushtit s’ka informatë për fatin e djalit të saj.

    “Kah ora pesë pasdite ka ngrënë bukë, e ka marrë çantën dhe shkopin për peshkim dhe ka dalë nga shtëpia”, tha Natasha Stoilkoviq për KALLXO.com-in.

    Edhe Policia e Kosovës qe njoftuar mbi zhdukjen e këtij personi.

    “Një ditë pasi është larguar, familja e ka lajmëruar si të humbur Milosh Stoilkoviqin”, tha Popoviq.

    Por shumë kontradikta e përcollën familjen deri në gjetjen e vendndodhjes së Milloshit.

    Javën e kaluar, derisa gazetari i KALLXO.com-it po bisedonte me familjen e tij, një telefonatë nga Serbia u tha atyre se Milloshi gjendej në Nish.

    Këtë informatë e kishte dhënë një fshatar i cili vullnetarisht kishte shkuar për ta kërkuar Milloshin.

    Policia i kishte trajtuar si jozyrtare këto informata dhe nuk i kishte marrë seriozisht. Dhe ashtu doli.

    “Kanë thënë se është gjetur në qytetin e Nishit, por kjo është jozyrtare, zyrtarisht nuk kemi asgjë”, kishte thënë komandanti Popoviq.

    Edhe kryetari i Komunës së Ranillugut Gradimir Nikiq nuk ka informata zyrtare rreth humbjes së të riut.

    “Familjarët e të humburit na thanë që dikush e kishte parë në Serbi, por më vonë doli të jetë informatë e pavërtetë”, tha Mikiq.