Home OPIONIONE Hipokriza e kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës

Hipokriza e kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës

684
0
SHARE

Prof. Emin Behrami

Draftligji për përcaktimin e statusit juridik të etnive fetare në Kosovë, i përgatitur nga Zyra e kryeministrit, ka shpalosur hipokrizinë e thellë të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) rreth statusit juridik të tarikateve në raport me “kushtetutën” e BIK-ut dhe gjendjes së tyre faktike, ka zbuluar lakminë e tyre të skajshme për pushtet absolut si dhe manipulimin me të drejtat dhe fatin e të tjerëve.

Se hipokrizia, anarkia dhe loja me infrastrukturën ligjore, të demonstruara nga Muftiu Ternava dhe puthadorët e tij, të cilat s’kanë të ndalur, janë të ndëshkuara dhe të mallkuara me dekret hyjnor. Kreu i BIK-ut dhe klani i tij i specializuar për veprime të tilla, nuk kanë qenë në gjendje që t’i kuptojnë me kohë pasojat e lojërave të tyre të ndyta, të cilat në të ardhmen vetë do t’i paguajnë, pa farë dyshimi.

Dalja në skenë e këtij draftligji ka bërë që ata prej tani e tutje të fillojnë që t’i nuhatin pasojat e mundshme dhe të rrezikshme me të cilat më vonë ata do të mund të goditen, prandaj edhe kanë filluar që ta krekosin me tërë fuqinë dhe propagandën që e zotërojnë rrezikun në të ardhmen që e pret BIK-un nga aprovimi përfundimtar i këtij ligji. Sipas të gjitha gjasave ajo më nuk do të ketë fuqi ligjore, as energji morale dhe as potencial kadrovik për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve që po zhvillohen kundër vullnetit dhe dëshirës së saj. Prandaj për t’u kuptuar më mirë dyfytyrësia e BIK-ut, në rastin konkret rreth injorimit të haptë të tarikateve, shehlerëve dhe rendeve e tyrbeve të tyre, si dhe loja e Ternavës dhe e kukullave të tij me “kushtetutën” e tyre, opinioni i gjerë më parë nuk ka qenë në dijeni rreth këtyre çështjeve të rëndësishme për BIK-un, porse tani ai ka nevojë për disa shpjegime të shkurta.

Bashkësia e Tarikateve të Kosovës është etnia e gjashtë fetare në Kosovë që me draftligj mbi liritë fetare do t’i shtohet për herë të parë numrit të konfesioneve tjera fetare në vend. Një propozim të tillë të draftligjit për ndarjen e Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës nga Bashkësia Islame e Kosovës e ka konfirmuar përfaqësuesi i tyre, Lulzim Shehu, i cili, në “Bota Sot” të datës 11.02.2015, ka deklaruar se kanë provuar që të futen nën ombrellën e BIK-ut, porse kërkesa e tyre është injoruar nga ajo, prandaj kemi kërkuar që të përfshihemi me ligj si etni e veçantë fetare, propozim ky i cili është marrë parasysh nga organi gjegjës, ka thënë ai.

Edhe Avokati i Popullit, Sami Kurtishi, ka dal në përkrahje të propozimit të Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës që t’u njihet me ligj etnia e tyre fetare, e ndarë nga BIK-u, të cilin propozim e ka marrë parasysh Zyra e kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Pastaj edhe Komisioni i Venediktit, të cilit Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë i ka kërkuar një opinion rreth Draft-ligjit për liritë fetare, i ka dhënë mbështetje regjistrimit të komunitetit të dervishve (tarikateve) si etni e veçantë juridike.

Këto të gjitha në njërën anë, ndërsa në anën tjetër, Resul Rexhepi, në këtë rast zëdhënës i Kryesisë së BIK-ut, i zemëruar dhe skajshërisht i mllefosur për të metat e shumta me të cilat përcillet ky draftligj, të cilat bëjnë “për të të lënë mendtë”, siç shprehet ai, ka deklaruar bindshëm se Bashkësia Islame e Kosovës përfaqëson tërë komunitetin muslimanë në vend, me 95.6%  sipas statistikave të vitit 2011, duke i përfshi edhe tarikatet, sipas të gjitha gjasave në bazë të “kushtetutës” së saj, edhepse atë nuk e ka përmendur haptazi. Kjo deklaratë e tij në emër të BIK-ut shpalosë dyfytyrësinë dhe hipokrizinë e thellë të kësaj bashkësie kur pretendon se ajo është përfaqësuese legjitime edhe e kësaj etnie fetare. Se a është e vërtetë kjo deklaratë e Resul Rexhepit apo është një hipokrizi e radhës e BIK-ut, e cila është mbërthyer në veprime të kundërligjshme e të pamoralshme, këtë do ta dëshmoj në vijim.

Mirëpo paraprakisht dua të njoftoj opinionin e gjerë se me këtë shkrim unë nuk do të paraqitem si avokat i tarikateve, as mbrojtës i të drejtave të tyre ligjore e fetare, si dhe as vlerësues i veprimeve të tyre se janë apo nuk janë në përputhje me normat islame, sepse këtë konpetencë e ka uzurpuar dhe e ka rezervuar për vetëvetën “i jashtëzakonshmi dhe i gjithëpushtetshmi” Muftiu Naim Ternava, të cilën e garantuar edhe me “kushtetutën” e kukullës së tij, prof. Fadil Hasani nga fsh.Rrëzhanë e Shalës së Bajgorës, porse për pikësynim kam vetëm zbulimin e hipokrizisë së Kryesisë së BIK-ut, në rastin konkret rreth dervishve, teqeve dhe devreve të tyre si dhe pretendimit të tyre të rrejshëm se kinse kjo Kryesi e BIK-ut dhe organet e saj i përfaqësojnë edhe ata.

Zëdhënësi Resul Rexhepi këtë deklaratë si duket e ka bazuar në “kushtetutën” e BIK-ut, e cila parasheh:

– se “teqetë” janë objekte të Bashkësisë Islame, sipas nenit 26.1,

–  se përkujdesjen ndaj tyre e mban Këshilli i Bashkësisë Islame, në bazë të nenit 38.1.3,

– se në ato mund të kryhen ceremoni fetare të tarikatit përkatës, në pajtim me normat islame, në pajtim me nenin 31.1,

–  kurse rendet e dervishëve, mësimi dhe praktika e të cilëve është në harmoni me normat e sheriatit, në kuadër të Bashkësisë Islame organizohen sipas rregullave të tarikatit përkatës dhe nën mbikëqyrjen e Këshillit të Bashkësisë Islame, siç parasheh neni 31.2 dhe 38.1.18,

– ndërsa shehlerët e rendeve të dervishëve mund t’i kryejnë ceremonitë dhe aktivitetet  fetare, nëse zgjedhjen e tyre e ka vërtetuar Kryesia e Bashkësisë Islame, konform nenit 31.3 të “kushtetutës” së BIK-ut.

Kjo “kushtetutë” përcillet me një varg të gjatë manipulimesh, si:

1. mospërfaqësimi i tarikateve në “Komisionin kushtetues” për amandamentimin e draftkushtetutës, madje as moskonsultimi fare i tyre gjatë aprovimit të saj përfundimtar, si një dëshmi e fortë se ata do t’i gëzojnë të drejta e garantuara me këtë “kushtetutë”,

2. uzurpimi dhe marrja e objekteve të tyre fetare pa leje paraprake nga ata,

3. mospërfshirja e tyre në buxhetin e BIK-ut, si garancë ligjore për mirëqenien e tyre materiale dhe për zhvillimin e lirshëm të aktiviteteve të tyre fetare,

4. pretendimi i të drejtës absolute për vetvetën se ata janë kompetentët e  vetëm për vlerësimin e rendeve të dervishëve, mësimit dhe praktikës së tyre, se janë në përputhje me normat e sheriatit apo jo, duke injoruar mendimin e krerëve të tyre, në shenjë nënçmimi.

Mirëpo realiteti faktik e dëshmon të kundërtën e tërë asaj të cilën e parasheh kjo “kushtetutë”, sepse Bashkësia Islame e Kosovës absolutisht nuk ka qasje në teqetë e shehlerëve dhe as në rendet e dervishëve, si dhe as në vlerësimin e tyre se janë apo nuk janë në pajtim me normat e sheriatit, e të mos flitet për mosmarrjen e lejes fare për ushtrimin e devreve apo rendeve të tyre, as nga Këshillat e Bashkësisë Islame dhe as nga Kryesia e BIK-ut.

Ternava dhe kukulla e tij, Fadil Hasani, nëpërmjet kësaj “kushtetute” kanë tentuar që nën kthetrat e veta t’i vënë edhe tarikatet, gjithnjë vetëm me qëllim të realizimitn të interesave të tyre karrieriste e materiale, tentim ky i cili praktikisht kurrë nuk është realizuar në të kaluarën, as tani dhe as që do të mund të realizohet në të ardhmen. Për këto kompetenca absolute edhe ndaj tarikateve dhe rendeve të tyre ata paraprakisht nuk e kanë fituar besimin dhe as votën e tyre. Për dikë megjithatë mund të nxirret përfundimi se edhe iluzionet dhe ëndrrat janë të kapshme dhe të realizueshme, siç kjo po ndodh me Muftiun Ternava dhe me klanin e tij.

Për më tepër, gjendja faktike e tarikateve, nëse bazohemi në këtë “kushtetutë” të BIK-ut dhe në deklaratën e Resul Rexhepit, ia vë majën  e hipokrizisë së tyre, sepse asnjë përfaqësues i Tarikateve të Kosovës nuk është i pranishëm në organet dhe në institucionet e BIK-ut, si në këshilla të Bashkësive Islame në nivele komunale, në Kryesi dhe në Kuvend të BIK-ut, dhe as në institucionet e saj, si në medrese dhe në Fakultetin e Studimeve Islame?! A thua vallë ky realitet faktik, i cili dëshmon për përjashtimin e tyre absolut nga përfaqësimi në të gjitha nivelet e organeve dhe institucioneve të BIK-ut, nuk është një hipokrizi e sheshtë, e demonstruar haptazi nga BIK-u, nëpërmjet zëdhënësit të saj të rrejshëm, Resul Rexhepi, sa për të deklaruar se kinse edhe tarikatet janë nën ombrellën e BIK-ut, sipas kushtetutës së saj?! Si do qoftë, mendoj se prapaskenat dhe skenaret reale të këtyre lojërave të ndyta deri në këtë shkallë nga Kryesia e BIK-ut, mund t’i ketë projektuar për interesa të ngushta klanore dhe mund t’i di vetëm Muftiu Ternava dhe puthadorët e tij.

Prandaj nëse ai  draftligj  shndërrohet në ligj, duke u regjistruar etnia e tarikateve të Kosovës si e mëvetësishme nga BIK-u, kjo është një pjellë normale e hipokrizisë dhe e pushtetit absolut të kësaj Kryesie, e cila në të ardhmen nuk mund t’a fajësojë askë tjetër përveç vetvetës.

Dhe krejt në fund, nëse shteti ligjor e shtrinë dorën edhe në BIK, atje do të gjej vetëm infrastrukturë ligjore, të varfër dhe kontradiktore, e cila ka instaluar një pushtet anarkik, absolut dhe  të pakufishëm nga “ i madhi” Naim Ternava dhe puthadorët e tij, të cilët, për t’i mbrojtur interesat e klanit të tyre të ngushtë, nuk i kursenjë as ligjet hyjnore dhe as ato njerëzore, në rastin konkret ato të shtetit të Republikës së Kosovës, kurse kundërshtarët e tyre e pësojnë keq; deri me largim të përhershëm nga marrëdhënia e punës dhe me ndërprerje të të gjitha të ardhurave personale mujore. Kjo praktikisht është evidente dhe e pranishme tek kundërshtarët e politikës dhe udhëheqjes së mbrapsht të Muftiut Ternava. Kështu që nëse ata ende mbesin të paprekur nga dora e shtetit, veprimeve të tyre të kundërligjshme do t’ia sheh sherin, jo vetëm muslimanët, por edhe shteti i Kosovës, pa dyshim.