Home Nga Rajoni Hapet fabrika e parë në Gjakovën e pasluftës

Hapet fabrika e parë në Gjakovën e pasluftës

174
0
SHARE

Sot u bë hapja zyrtare e fabrikës së tekstilit “Intertex” në Gjakovë, fabrikë kjo që fillimisht do t’i ketë vetëm 70 të punësuar.

Por, pritet që ky numër i punëtorëve të rritet shumë shpejt. Sipas udhëheqësve të kësaj kompanie një gjë e tillë do të ndodhë pas një muaji, pasi që, sipas tyre, tregu i punës do të rritet shpejt sepse ka shumë kërkesa.

Paga mesatare e këtyre punëtorëve llogaritet të jetë 250 euro.

Në përurim të kësaj kompanie ishte kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, dhe kryetari i Aleancës Kosovë e Re, Behgjet Pacolli.

Kusari-Lila tha se kjo fabrikë po hapet në ditën kur pavarësia nuk mund të mbrohet dhe forcohet ndryshe veç se me punë. Ajo, po ashtu, tha se me mund të madh më në fund në Gjakovë e sollën atë për te cilën e kanë fituar mandatin.

“Janë ditë jo të lehta për Kosovën, janë ditë kur sfidat e kaluara dhe të sotme po ndeshen, por, gjithsesi që asnjëri nuk mund t’i ikim obligimit tonë. Dhe ky obligim ka të bëj me punë dhe përkushtim për vendin, me hapje të reja të vendeve të punës me rendin dhe ligjin, me drejtësi dhe respektimin e asaj që është e shtrenjtë në të gjitha botën, sundimi i ligji dhe forcimi i ekonomisë. Dhe mbi këto premisa më duhet të them se me punë dhe përkushtim jo të lehtë, me një vështirësi mjaftë të madhe, por, në fund me sukses arritëm që në Gjakovë të sjellim atë, për çfarë edhe e fituam mandatin”, tha Kusari-Lila, transmeton KP.

Ajo, gjithashtu, tha se ata do t’ia kthejnë Gjakovës shkëlqimin që e ka pasur dikur, por, sipas saj, ajo gjë duhet të bëhet jo me rrugë të shkurtra, por me punë të mundimshme sepse ato janë më të qëndrueshme.

Në anën tjetër kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli, tha se Gjakova e meriton vërtet këtë fabrikë sepse është shumë punëtore dhe, sipas tij, ata e kanë dëshmuar këtë gjë gjithmonë.

“Ne deshëm që këtë fillim të kësaj iniciative ta bëjmë mu këtu në këtë vend, ku edhe është simboli i zhvillimit ekonomik, këtu ku është, po e quaj ‘Klasikja e Ekonomisë’, në metaliken e Emin Durakut. Unë e di se përreth fabrikat janë kthyer në depo, përreth fabrikat janë kthyer në diskoteka, por, me dashtë vullneti i pushtetarëve të Kosovës, në dashtë vetëdija e qytetarëve dhe dashtë vullneti shumë, shumë i madh i gjakovarëve që këto fabrika prapë të kthehen në prodhimtari, këto fabrika prapë të shërbejnë si simbol i mirëqenies të kësaj ane, sepse kjo anë e meriton me të vërtet këtë gjendje sepse kanë qenë shumë punëtorë”, tha Pacolli.

Ai, gjithashtu, tha se kjo është vetëm një përqindje e vogël e asaj që dinë të bëjnë ata në Gjakovë.

Kompania “Intertex” do të prodhojë mbulesa për një përdorim për vetura të firmave të njohura si Audi, Volvo, Porsche dhe disa makina të tjera. Po ashtu, pritet që se shpejti të filloj prodhimin e rrobave të Ushtrisë Amerikane, të jelekëve anti-plumb si dhe atyre të gjuetisë.