Home OPIONIONE Gjyqet e krimeve të luftës si sfidë për ballkanasit

Gjyqet e krimeve të luftës si sfidë për ballkanasit

10
0
SHARE

Shkruan: Dionis Xhafa

Ndërsa në fundvitet e nëntëdhjeta etnitë në hapësirën e ish-Jugosllavisë kishin konflikte me njëri-tjetrin, tashmë vite pas luftërash, ekziston sërish një “luftë” e re, ajo e përbashkët kundër krimit, një parim që bën bashkë njerëz edhe të etnive të ndryshme. Problemi qëndron në faktin sesa të gatshëm janë ballkanasit, çdo etni, të dënojë personat që bënë krime lufte mbi civilët. Mospërgatitja e ballkanasve për një katarsis e për të parë përpara drejt ndërtimit të shtetit të ç’kriminalizuar dhe të pa korruptuar është më e dobëta hallkë e problemit.

Serbia
Mbi Serbinë mëshon fakti se ka një mospranim të theksuar të së vërtetës për krimet e luftës, duke mos qenë në gjendje të ç’kriminalizoj krejtësisht vetveten. Probleme me mospranimin e katarsisit shfaqen dukshëm mbi shtetin serb dhe si rrjedhojë edhe mbi popull. Ky mospranim nis në masë që nga klasa politike, zbret tek akademia, më tej tek mediat e deri tek qytetarët e Serbisë. Mjaft shqetësues ishte një raport i përgatitur nga BIRN lidhur me faktin sesa i dënon Serbia krimet e luftës dhe më tej edhe shoqëria. Politikanët serbë, si dhe mediat kryesore si RTS, B92, Politika, Danas, i kanë dhënë shumë më shumë hapësirë dyshimeve për trafikim organesh mbi UÇK-në sesa krimeve shtetërore të shtetit serb mbi shqiptarët e Kosovës apo edhe mbi boshnjakët apo kroatët.
I vetmi zë oponent në Serbi është shoqëria civile, kundër një realiteti përgjithësisht nacionalist, ku edhe në gjyqet që bëhen masivisht thuhet se serbët janë viktimat. Ky zë është i vetmi që iu bën thirrje serbëve dhe Serbisë që ta shohin në sy realitetin, bën thirrje për gjykim të të dyshuarve për krime lufte nga shteti dhe po ashtu që të shihet përpara drejt ndërtimit të një shteti të shëndoshë.

Sfida e rëndë e Kosovës
Liria dhe pavarësia e arritur me mundim është më e shtrenjta vlerë për një person dhe aq më tepër për një shoqëri të tërë. Në një grup personash që luftojnë për liri, ka edhe nga ata që përpos lirisë luftojnë për pushtet apo qëllime të tjera, duke i “përligjur” edhe me krime, gjë që nuk shkon me parimet universale njerëzore. UÇK-ja si ushtri e lirisë e kreu misionin, por se brenda saj dyshohet se ka elementë që mund të kenë bërë krime, të cilët do të duhet të vihen përpara drejtësisë për krime individuale. Duke qenë se ekzistojnë raporte ndërkombëtare që hedhin dyshime për krime lufte të disa personave, një gjë e tillë duhet provuar dhe në vazhdë të kësaj, pritet që më 2015-të në Kosovë të ngrihet Gjykatë.
Klasa politike e Kosovës, në këtë rast u tregua e matur dhe e pjekur duke ftuar ndërkombëtarët ta ngrenë Tribunalin dhe të hedhin dritë mbi çdo dyshim.
Pavarësisht faktit se pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare të Kosovës janë patriotë, raporti i tyre lidhur me ndëshkimin e krimit është për tu përshëndetur. Kjo vërehet në faktin se nuk ka pasur ndonjë kundërshti publike tepër të madhe lidhur me gjyqet që pritet të zhvillohen.

Roli i Kroacisë, qëndrimi Zagreb – Bruksel
Historia e Jugosllavisë edhe kur analizon realitetin e sotëm politik të shteteve të dala nga ajo, nuk mund të lihet në hije, pasi politika e dikurshme reflekton edhe sot. Ndër shtetet e para që shpallën pavarësinë ishte Kroacia, duke kryer edhe katarsisin edhe sot gjendet në Bashkimin Evropian. (Historia na mëson se gjatë kohës që ka ekzistuar Jugosllavia, serbët dhe kroatët kanë pasur rivalitetin më të egër për pushtet, por edhe për dominim të njërës apo tjetrës etni).
Për tu rikthyer në realitetin e sotëm, është fakt se Zagrebi është kryeqytet i një shteti në BE, ndërsa Beogradi, dikur qendër e Jugosllavisë dhe sot i Serbisë, nuk është pjesë e shteteve të Bashkimit Evropian. Kjo jo pak për faj të vetë Serbisë, e cila vazhdon politikën e krenarisë kombëtare shpesh boshe, duke e mbajtur gjallë atë edhe duke e mbajtur shtetin e kriminalizuar.
Zagrebi e “ka në dorë” që përmes Brukselit ti imponojë Beogradit katarsisin e vet, shpëtimin e vetë Serbisë nga krimi dhe zhvillimin e një politike jo më nacionaliste serbe. “Presioni” i Zagrebit dhe Brukselit mbi Serbinë për të dënuar kriminelët e luftës me qëllim që të shohë drejt një shteti të shëndoshë, i konvenon mjaft mirë edhe shqiptarëve, edhe boshnjakëve, me qëllim që kriminelët e luftës që kryen krime të marrin drejtësinë e merituar. Zagrebi mund të konsiderohet “roja i Brukselit” që i dëfton “kalimtarit”Beograd se ka ikur koha e luftërave për territore, por se është koha kur triumfojnë parimet me vlera të shëndosha shoqërore, ato që e përbuzin krimin, qoftë kryer ky krim edhe në emër të kombit.

Dëmet që shkakton nacionalizmi
Së pari, ngritja në peshë e kombit dhe sidomos individëve, aq më keq kur individë të këtij kombi kanë kryer krime dhe nuk kanë marrë dënim, është lëndim i personave familjarë të viktimave të krimeve të luftës.
Së dyti, nacionalizmi i dërgon energjitë e popullit drejt mitikes, jo gjësë reale, gjë që bën që breza të tërë të çojnë energjitë dëm për folklorizëm dhe jo për punë.

Si mund të arrijmë tek paqja në rajon
Si përfundim, mund të thuhet se sot, në vitin 2014 rajoni ynë është pranë një paqeje, por assesi nuk është një paqe e plotë. Probleme ka me njohje dhe mosnjohje territoresh (rasti i Kosovës), probleme me identitetin (kontesti i emrit të Maqedonisë) e deri në disa raste mosrespektim të pakicave etnike në shtete të caktuara.
Besoj se askush s’mund të jetë i sigurt nëse rajoni ynë do të ketë paqe ndonjëherë në kuptimin e plotë të fjalës, por se di që paqja arrihet përmes triumfit të vlerave thellësisht njerëzore, duke dënuar krimin, korrupsionin e duke parë drejt një të ardhme sa më realiste.