Home Aktuale Gjilani nderon me titullin “Qytetar Nderi” Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishanin

Gjilani nderon me titullin “Qytetar Nderi” Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishanin

91
0
SHARE
Gjilan, 12 maj .- Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, u nderua sot me titullin “Qyetar Nderi i Gjilanit”, gjatë një ceremonie të zhvilluar në këtë qytet.

Titulli i lartë iu dha presidentit Nishani nga kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Në fjalën e tij, Nishani tha se “ky çast është i paharrueshëm në jetën time, ju falenderoj për titullin, ndihem shumë i emocionuar”.

“Falënderoj kryetarin e komunës Lufti Hazirin për lidershipin e veçantë dhe për vizionin e një burrë shteti, jam i bindur se qënia në këtë pozicion dhe mirëkutimi dhe bashkëpunimi i të gjithë aktorëve politikë , të këtij qyteti , të kësaj zone, tregojnë më së miri këtë dimension të një maturie të kulturës politike”, theksoi Nishani.

Presidenti Nishani u shpreh se “do të dëshiroja që edhe në Shqipëri të mësonim dhe të nxisim eksperienca pozitive nga këto modele të përparimit, civilizimit dhe përgjegjësive, pa dyshim të ruajtjes së identitit politik të gjithësecilit, por mbi të gjitha vendosjen në themel e orientim të interesave të qytetarëve, të vendit dhe atij që ne e kemi për zemër identitetit kombëtar”.

“Unë besoj e do vazhdoj të besoj fort se tek dija, emancipimi dhe tek civilizimi qëndron bazamenti i përparimit dhe prosperitetit të çdo kombi dhe çdo populli”, tha Nishani.

Më pas në sallën e Teatrit të Qytetit, presidenti Nishani do të shpërndajë dekoratat për personalitetet e Gjilanit dhe të Anamoravës, të cilët kanë dhënë kontribut të madh nëpër shekuj për lirinë e shqiptarëve.

Presidenti Nishani ndodhet që prej ditës së djeshme për një vizitë zyrtare në Kosovë. Nishani u nderua nga presidenti Thaçi me “Urdhrin e lirisë”, ndërsa u zhvilloi gjithashtu takime me autoritete të larta të Kosovës.