Home MAGAZINA Flori: Ja si e mposhta Acromaxin, jam i pastërt

Flori: Ja si e mposhta Acromaxin, jam i pastërt

62
0
SHARE

Këngëtari dhe producenti shqiptar, Flori Mumajesi, me anë të një komunikate ka sqaruar se vendimi i fundit i gjykatës së Kolnit ia mohon kompanisë Acromax (ArkivaShqip) çdo të drejtë mbi projektet e tij.

Flori ishte përfshirë në një konflikt gjyqësor me kompaninë Acromax, pasi ishin fshirë 300 këngë dhe klipe të kompanisë ThreeDots që Flori drejton. Pos tjerash janë fshirë edhe klipe të këngëtarëve tjerë që nuk i kishin të bëjnë me kanalin e Florit, duke bërë që ky i fundit të marrë akuza nga kolegë të tij të estradës.

Tani si duket një gjykatë e Kolnit ka marrë një vendim, të cilin e ka bashkëngjitur në komunikatë Flori, por që për shkaqe konfidenciale nuk mund ta publikojmë. Në këtë vendim sqarohet se Acromax më nuk ka të drejtën të bllokojë projektet e Florit në YouTube në kanalin Threedots Productions.

“Nëpërmjet këtij komunikimi, dua të tërheq vëmendjen tuaj në lidhje me një çështje të rëndësishme për të gjithë ne: mbrojtja e të drejtave autoriale”.

“Siç tashmë është bërë e ditur publikisht, unë jam përfshirë në një konflikt gjyqësor në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të mia autoriale me kompaninë Acromax të drejtuar nga Aldor Nini dhe Anxhela Faber të cilët kanë në menaxhim kanalin Arkiva Shqip”.

“Kam kënaqësinë t’iu komunikoj se ky proces gjyqësor, nëpërmjet vendimit të Gjykatës së Këlnit datë 25.03.2014, ka dalë në rezultatin se:
1. Kompania Acromax detyrohet të bëjë shkëputjen nga kanali i YouTube “Threedots Productions” dhe të mos e mbajë të lidhur këtë kanal, në çfarëdo mënyrë të mundshme;
2. Kompania Acromax detyrohet të mos pretendojë kundrejt të tretëve se zotëron të drejtën e autorit për më shumë se 300 vepra muzikore të miat, të përcaktuara në një listë të gjatë bashkëlidhur vendimit dhe mbi të gjitha të mos pretendojë të drejta autoriale mbi këto vepra për sa i përket platformës YouTube;
3. Nëse kompania Acromax do të vazhdojë në shkeljë, atëherë mund të gjobitet deri në 250.000,00 Euro ose ndalim/arrest deri në 6 muaj”.

“Ky vendim gjyqësor ka vendosur të drejtën në vendin e saj dhe është kjo arsyeja që ndjehem i thirrur për t’ju komunikuar ju, në cilësinë e bashkëpunëtorëve të mi, për vendosjen e të drejtës në vendin e duhur dhe mbitëgjitha për t’ju siguruar se Flori Mumajesi nuk ka punuar asnjëherë kundër kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, por ka dashur vetëm dhe gjithmonë të mbrojë të drejtën e tij.
Ky vendim përbën të drejtën time dhe të vërtetën në lidhje se me çfarë është spekuluar dhe manipuluar për këtë çështje.
Ju lë juve të gjykoni.

Me respekt,
Flori Mumajesi”, shkruan në komunikatën e Florit.

Nuk dihet se edhe sa do të zgjasë ky konflikt, por një gjë është e sigurt – shumë prej fansave u mungojnë klipet e Elvanës si “Beso”, e ato të Florit si këngëtar “Pa Jetë”, e nuk dihet nëse Acromax do të vazhdojë këtë konflik virtual. /