Home Aktuale Fjalimi i deputetes Besa Ismaili, dje në Kuvend për 100 ditët...

Fjalimi i deputetes Besa Ismaili, dje në Kuvend për 100 ditët e qeverisjes Hoti

183
0
SHARE

Besa Ismaili, deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga Partia Demokratike, ka postuar në facebook fjalimin e mbajtur   në seancën e  ditës së djeshme, ku ka folur për 100 ditët e qeverisjes Hoti.

Në vazhdim ju sjellim fjalimin e Besa Ismailit:

 

Fjalimi im në Kuvend dje për 100 ditët e qeverisjes Hoti

Njëqind ditëshi i qeverisë Hoti nuk mund të ndahet tërësisht nga intervali kohor i qeverisë paraprake, sepse janë i njejti brum. Për një vit, gjysma e së cilit ishte zvarritje për gjoja parime në konsolidimin e qeverisë së parë, dhe për gjysmën tjetër, rrotacione qeveritare, për të kthyer çdo aktivitet politik që kishin si ekzekutiv kundër njëri tjetrit. Tash qytetarët, përveç paaftësisë dhe papërgjegjësisë, po përballen edhe me diskurse të grupeve, së fundmi “bandave” të cilat zyrtarë të koalicionit të shpresës po i citojnë.

Nga cenimi i të drejtave elementare njerëzore, e tillë siç ishte lëvizja e lirë, në një masovizim sheshi për të kërkuar të drejta politike që u minuan nga partnerët e koalicionit, pa çarë kokën për situatën e pandemisë. Tranzicioni ekzekutiv lëshoi përgjegjësitë mbi popullin, duke e katandisur situatën me Covid-19.

Nga një paaftësi institucionale duke shkelur edhe kushtetutën, në një paaftësi institucionale për menaxhimin e pandemisë. Natyrisht, një vit i dështuar si shkak i papërgjegjësisë së binomit LDK-VV, si tipar shtesë i krizës së pandemisë Covid-19.

Te kthehemi tek dy çështje tejet të rëndësishme, procesi i dialogut dhe rimëkëmbja ekonomike.

Vazhdimi i Dialogut si proces duhet përkrahur dhe këtë e kemi bërë si subjekt politik. Por mënyra dhe diskursi i ndërtuar mbi procesin e dialogut ka qenë jo i duhur për këto muaj të qeverisjeve nga akterët e koalicionit të pashpresës. Nga diskursi paranojak e ekstremist për thika dhe ndarje, duke refuzuar dialogun dhe duke mos zhvilluar asnjë lloj dialogu apo komunikimi në nivel te vendit, në marrëveshje për (pa)njohje të ndërsjellë, një premtim i parealizuar i kryeministrit Hoti.

Për më tëpër, një tëkurrje sovraniteti në shfrytëzimin e aseteve. Si do të përgjigjet z.Hoti për thëniet e paqena të njohjes reciproke dhe delegjitimimin e politikave që trumbetoi vet ai dhe subjekti që i takon, LDK-ja, për moscenimin e asnjë lloji të sovranitetit dhe projekteve politike si Mini-Shengeni?

Çështja e dytë ka të bëjë me rimëkëmbjen ekonomike. Bizneset, për dallim me një stimul tejet minor për qytetarët për të rritur kërkesën agregate, shpeshherë të pamjaftueshme për disa javë, nuk janë ndihmuar me veprime konkrete, përveç me një ton diskursiv dhe premtim për rimëkëmbje, për të krijuar pako fiskale.

Ligji për Rimëkëmbje nuk po kalohet, por nga zyrja e kryeministrit po kemi lajme se po ndahen miliona euro për bizneset? A po ndihmohen edhe bizneset e grave?Si është e mundur kjo, kur papërgjegjësitë janë duke u ngatërruar me ndihmesat, si kuptim premtues?

Për afro 8 muaj nga fillimi i pandemisë, duhet t’i falenderojmë partnerët tanë ndërkombëtarë për ofrimin e ndihmave dhe injektimin në buxhet me miliona euro dhe duhet të ndihemi me turp për paaftësinë e dy qeverive në menaxhimin e fondeve për situatën e krijuar me pandeminë covid-19.

*Një shqetësim kryesor është gjendja e të drejtave të njeriut.*

Shqetësime serioze edhe për përfaqësimin e grave në nivelet e vendimmarrjes dhe politikbërjes. Duke filluar nga fushatat elektorale të dominuar nga burrat, e deri në përfaqëismin institucional, kemi një diskrepancë ndërmjet burrave dhe grave, në favor të të parëve sa i përket përfaqësimit dhe aktivitetit politik.

Edhe pse ekziston një përpjekje solide për të përmirësuar raportin, ai mbetet vetëm diskurs, krahas nënpërfaqësimit të grave në pozicionë të larta të shërbimit civil. Disa nga dikasterët e tjera që gratë vazhdojnë të përballen me diskriminim janë tregu i punës, qasja në financa, trashëgimia e pronës dhe aspekte të drejtësisë.

Një nivel i ulët i përqindjes së grave të punësuara, pavarësisht se prijnë në aspektin e edukimit të lartë, punojnë në ekonomitë informale, e që natyrisht kanë qenë të prekura më së shumti nga kriza e pandemisë.

Krahas këtyre sfidave, dhuna në familje vazhdon t’i poentoj gratë, fatkeqësisht, si formë e shpërfaqur e dhunës me bazë gjinore. Strehimore në mbijetesë, disa tashmë edhe të mbyllura. Ka pasur progres të kufizuar në parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtja dhe riintegrimi i viktimave, përfshirë kompenzimi për viktimat. Autoritetet tani duhet të miratojnë akte nënligjore dhe të organizojnë një ndërgjegjësim. Plani i Veprimit për të drejtat e fëmijëve 2019-2023 është ende i papërfunduar. Integrimi social i fëmijëve me aftësi të kufizuar vazhdon të jetë problem dhe shumë prej tyre kanë qasje shumë e kufizuar në shërbimet sociale, shëndetësore dhe arsimore. Dhe pandemia vetëm sa ua ka rënduar gjendjen. Përveç kësaj, autoritetet kanë qenë joefikase në sigurimin e kujdesit të duhur për fëmijët e rrugës dhe nuk kanë arritur siç duhet të adresojnë çështjen. Posaçërisht të fëmijëve romë, egjiptas dhe ashkali.

Ekziston gjithashtu një mungesë e shërbimeve dhe programeve për parandalimin dhe riintegrimin e fëmijëve viktima të abuzimit me drogën. Në përgjithësi, një numër i konsiderueshëm i fëmijëve janë viktima të dhuna fizike ose psikologjike dhe përpjekjet për të parandaluar të gjitha format e dhunës ndaj fëmijëve mbeten të pamjaftueshme. Një ligj i ri gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuara akoma nuk është miratuar. Në përgjithësi, autoritetet nuk po zbatojnë në mënyrë efektive legjislacionin ekzistues, përfshirë edhe Ligjin për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Udhëzimi administrativ për pajisjet mbështetëse për personat me aftësi të kufizuara gjithashtu nuk është hartuar. Zbatimi i Ligjit për Personat e Verbër, në segmentin e punësimit, vazhdon të ketë zbatim shumë të kufizuar. Ekziston një strategji për njerëzit me aftësi të kufizuara por plani i veprimit për periudhën 2020-2023 ende pritet të miratohet. Këshilli Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuar ende nuk është takuar. Qasja në ndërtesat publike dhe transportin gjithashtu mbetet i kufizuar. Sindikatat e punëtorëve në sektorë të shumtë kanë shprehur pakënaqësi të shumta.

Në veriun e Mitrovicës nuk është ndjerë dora e shtetit të Kosovës, dhe as në lagjen e Boshnjakëve nuk ështëm zhvilluar asnjë aktivitet ndërtimor,as projekt renovues dhe as projektet për rehabilitimin e shtratit Lumbardh nuk janë zbatuar, njësoj edhe projektet rrugore dhe muzeu. Gjatë këtyre 100 ditëve të qeverisjes së dobët Hoti, sikur edhe gjatë 50 ditë të qeverisjes së rrezikshme Kurti, komunat veriore të republikës së Kosovës nuk kanë përjetuar as edhe më të voglën përkujdesje shtetërore. Qytetarët janë braktisur si asnjëherë më pare dhe fati I tyre ka ngelur në duart e tyre.

Grupet teknike për të drejtat a pakicave nuk janë takuar asnjëherë gjatë kësaj kohe. Njëgjuhësia synon të dominojë. Në komunat me shumice shqiptare, flitet shqip, ndërsa në komunat me shumice serbe, serbisht, dhe zbatimi i të drejtave gjuhësore të etnive tjera në Kosovë cenohet konsiderueshëm.

Siguria për komunitetet pakicë, posaçërisht për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptas është e ultë dhe incidentet karshi tyre janë shtuar. Diskriminimi ndaj tyre sa I përket pranimit të ndihmave dhe pakove anticovid ka qenë tejet evident.

Suspendimi I të drejtës themelore për gjykim të drejtë që u instalua gjatë qeverisjes së rrezikshme Kurti nuk u adresua nga kjo qeveri dhe gjyqësori nuk ka ende një strategji për trajtimin e rasteve të grumbulluara për të cilat qytetarët presin drejtësi.

Edhe vendimet Gjykatës Kushtetuese për kundërkushtetushmërinë e masave kufiziuese në kohë pandemisë të ndërmarra nga qeveria e kaluar kanë krijuar paqartësi institucionale, që më pas ka rrëshqitur në papërgjegjësi, dëri në implementimin e ligjeve adekuate për situatën e krijuar së fundmi me pandeminë.

Bashkëpunimi i qeverisë me OSHC mbetet i dobët, selektiv dhe pak i mbështetur. Duke lënë shumë OJQ pa asnje mbështjetje dhe bashkëpunim sidomos ato të bazuara në komunitet.

Bashkpunimi me bashkësitë fetare lë shumë për të dëshiruar. Masat antiCovid për faltoret dhe xhamitë kanë lënë shije jo të mirë tek besimtarët kur kufizimi i lirisë së tyre të garantuar të besimit dhe manifestimit të besimit është kufizuar selektivisht dhe në mënyrë krejt të paarsyeshme.

Kufizimi i aktiviteteve kulturore dhe sportive gjithashtu është pasojë e mungesës së vullnetit për të menaxhuar me situatat gjatë pandemisë, dhe kjo ka rrezkuar shëndetin fizik dhe mendor të të rinjve.

Me një fjalë, kjo qeverisje e dobët 100 ditëshe, pasqyron dobësim shqetësues të të drejtave të njeriut në çdo segment, në vend se të shënoj fuqizim të tyre.

Për 100 ditë, ngecje në 100 nuanca të ndryshme të hirta.Fatkeqsisht!