Home OPIONIONE Festa e kombit – e ardhmja varet prej nesh

Festa e kombit – e ardhmja varet prej nesh

723
0
SHARE

Shkruan: Burim Ramadani

28 Nëntori është festa më e madhe e shqiptarëve. E tërë kombit. Kudo që jetojnë shqiptarët, kjo ditë na bashkon. Na bashkon në zemër, na bashkon në gjak, në ndjenja dhe në vizion.

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë paraqet kulmin e kthesës historike të kombit shqiptar. Anipse, me dekada me radhë kanë vazhduar vuajtjet, të cilat, dorën në zemër, nuk janë ndalur as sot.

Porse, ne jemi më mirë se gjatë historisë. Dhe, më keq se ku kemi mundur të jemi. Më pak të robëruar, por mjaft larg lirisë. Lirisë si koncept dhe jo vetëm si gjendje fizike. Sepse, për të mbërritur në nivelin e lirisë, fatkeqësisht, do të na duhet edhe një kohë. Edhe shumë përpjekje. Dhe, mbi të gjitha, edhe shumë dije.

Më shumë se një shekull më parë, përkatësisht 102 vjet më parë, kemi bërë kthesën historike. Porse, atë moment nuk e kemi realizuar plotësisht. Ndërkohë, kemi ndryshuar rrjedhat e idealit kombëtar, kemi ‘zbutur’ aspiratat kombëtare. Nuk është që na doli krejtësisht e gabuar. Tashmë kemi edhe një shtet – Kosovën, anipse modeli kushtetues nuk na përcakton shtetin e Kosovës si shtet të shqiptarëve.

Megjithatë, rruga për të cilën po synojmë (ende) nuk është e lehtë. Në fakt, vështirësimin e kësaj rruge po e bëjmë vet. Ndoshta për shkak të mungesës së dijes, ndoshta për shkak të interesave momentale grupore, ndoshta për shkak të rrethanave nëpër të cilat po kalojmë. Këto, sidoqoftë, duhet të tejkalohen fuqishëm dhe shpejt ose do të shumëzohen vështirësitë.

Këtë e kemi vet në dorë. A duam t’i kalojmë vështirësitë apo duam t’i shumëfishojmë vështirësitë? Nëse pothuajse asnjëherë gjatë historisë së shekullit të kaluar kjo nuk ka qenë në dorën tonë, tashmë nuk kemi asnjëlloj arsyetimi. As si shtete dhe as si komb.

Sakrificat, vuajtjet, jetët dhe gjymtyrët e dhëna për liri duhet të jenë pikënisja jonë e përbashkët. Një komb i tërë nëpër sfida. Nga më të ndryshmet.

Nuk duhet t’i harrojmë. Nganjëherë më duket se kujtesa jonë na luhatet. Na duket sikur gjithçka fillon prej nesh, në këtë moment. Pretendojmë se ora e shekullit të historisë është vetëm e jona, e kësaj gjenerate.

Por, kjo është qasja më e gabueshme që kemi. Asgjë nuk fillon me ne. As nuk kishte filluar. Ne jemi kalimtarë të historisë kombëtare. E të qenit kalimtarë, mund të na bëjë edhe hisedarë të historisë. Porse, jo kështu sikurse po sillemi. Përkundrazi, me sjelljet e tashme vetëm po e vërtetojmë se jemi kalimtarë.

Urime festa e shqiptarëve secilit prej nesh.
Urime për ndjenjën shqiptare për secilin prej nesh.
Qofshi shqiptarë dhe mbetshi shqiptarë përjetë!