Home OPIONIONE Faqja e zezë n’kali t’zi

Faqja e zezë n’kali t’zi

159
0
SHARE

I. DIKUR: po për besë, kështu ishte dikur, pikë për pikë, pa ia shtuar asnjë fjalë, dhe hiç moti, ku rrallë mund të gjeje ndonjë njeri në mesin e popullit tonë që nuk shpresonte dhe besonte se do të vinin ditë më të mira dhe do të ndryshonte gjendja e cila nuk kishte ku të vejë më keq, si nën okupim dhe sundimin serb më! Nën sundimin e një shteti që populli ynë e kishte përjetuar mbi kurriz të vet si rrallë ndonjë popull tjetër për më shumë se njëqind vjet.

Të zezat çka dinte dhe i shkonin përdore këtij shteti, duke ushtruar mbi këtë popull, ishin aq të tmerrshme dhe lemeritëse, sa e pabesueshme ta kapë imagjinata e njeriut se ai di të bëjë kaq zi! Vërtet gjeneratave pak më të vjetra u ka rastisur të dëgjojnë nga të parët e tyre atë thënien famëkeqe se “çka di shkau me punue zi, mendja e kresë mos me ta marrë!” Dhe të gjitha këto të zeza i provoi në lëkurën e vet ky popull yni i ngratë hiç më larg se para 15 viteve.

Ku ka me shkue më keq dhe më zi se me e pa evladin apo nipin me sytë e tu duke ia prerë kokën sikur një zogu! Duke ta dhunuar gruan, vajzën, motrën para syve tu dhe mos me pas çka me bë! Duke ia çelur barkun gruas shtatzënë për ta mësuar gjininë se ç’është- djalë apo vajzë dhe më pastaj duke ia ngulur thikën dhe ngritur përpjetë, duke i tmerruar të tjerët se çka mund të bëjë një barbar, siç bën shkau!…

Për çudi, edhe pas të gjitha këtyre përjetimeve dhe torturave gjithfarë lloji, ky popull nuk i kishte humbur shpresat se do të vinte një ditë kur do të përfundonte kjo gjëmë kolektive dhe do të bëhet mirë! Prandaj fillimi i këtij shkrimi me frazën plot optimizëm: Sot më mirë se dje, e nesër më mirë se sot, kishte buruar pikërisht nga arsyeja dhe shpirti i madh i këtij populli, i cili përkundër të gjitha vuajtjeve të përjetuara, nuk e kishte humbur shpresën dhe besimin për një të ardhme më të mirë. Jo, në asnjë mënyrë! Jo kot në popull përdoret thënia se “Të gjitha t’i jap, por ymytin nuk ta jap”.

Dhe kjo frazë plot optimizëm ishte e mbështetur në një bazë reale dhe të sigurt: në unitetin e popullit, në solidaritetin e tij, në drejtësi, në sakrifikim të vetvetes, në rezistencën dhe luftën e drejtë të UÇK-së, si dhe në përkrahjen e faktorit ndërkombëtar.

II. TANI: medet o medet, veç sa nuk është këputur krejt ymyti, aq shumë është tëholluar! Ajo thënia e frazës të përmendur më lart, është transformuar ndryshe, me kokë teposhtë, duke marrë një kuptim krejtësisht tjetër, madje krejt të kundërt: Sot më keq se dje, e nesër më keq se sot! Dhe s’di ku të shkojë më keq! Një drejtim i ri/i zi, pa asnjë fije shprese, pa farë optimizmi! Pa kurrfarë uzdaje! Vaj halli! D.m.th. deri këtu ka vajtur puna! Dhe po.

Asgjë nuk është më si përpara: vendin e unitetit e ka zënë përçarja dhe ndasia; vendin e drejtësisë- padrejtësia dhe makutëria; vendin e sakrificës-egoizmi i egër dhe harbutëria; vendin e moralit të UÇK-së- zaptimi dhe hajdutëria; përkrahjen e sinqertë të faktorit ndërkombëtar- shpërfillja, mjaftueshmëria dhe njëanshmëria! E kur t’i mëshelen të gjitha këto rrugë shumicës së një populli, ku mbetet atëherë këtu shpresa dhe optimizmi, për të nesërmen më të mirë se për të sotmen nga ferri? Kështu vetëm sa vjen duke u rritur çdo ditë e më tepër pasiguria dhe paranoja për dalje nga kriza!

Ndaluni e shikoni njëherë karvanin e autobusëve, me ditë e me javë të tëra, përplot me të rinj, duke lëshuar vendin për të gjetur një punë në ndonjë shtet tjetër, pasi në shtetin e tyre mund të mplaken pa e shijuar asnjëherë se çka domethënë me pas rrogën tënde dhe me jetua shlirë nga djersa jote, pa qenë barrë e dikujt tjetër!
E kush do të besonte se pas 15 vjetëve në liri, kur tashmë nuk ekziston sundimi serb, do të vinte një këso gjendje kaq e rëndë dhe kaq pa shpresë për shumicën e këtij populli?!

Dhe tani jo me fajin e dikujt tjetër, por me çoroditjen e ‘djelëmënisë’ të dalë nga gjiri i popullit tonë dhe shumica prej tyre ish komandantë të UÇK-së! A nuk shihni se si i ka kapur dalldia dhe lakmia për t’u pasuruar brenda një kohe sa më të shkurtër! Dhe në ç’mënyrë se? Sigurisht jo përmes zhvillimit ekonomik, prodhimit, eksportit të mallrave dhe forcimit të shtetit, por, paturpësisht, nga djersa e taksapaguesve të këtij populli të cfilitur, duke bërë shpenzime marramendëse dhe duke mos u hangër palla për të ngratin se në çfarë gjendje e kanë katandisur?!

Por jo. Thënia e ndryshuar dhe e rrotulluar- Sot më keq se dje, e nesër më keq se sot!, mendoj se është pasojë e një frustrimi të përkohshëm dhe që ka ardhur më tepër si një mllef prej zemrës së plastë, nga se njerëzve u ka ardhur shpirti te hunda! Ata qysh kanë ditur ta heqin qafe okupatorin serb, do të dinë dhe do të gjejnë forcë për t’i hequr qafe edhe këta ‘djelmëninë’ parazite që janë pasuruar dhe po pasurohen pa u ndalë në kurriz të tij!

Aq më tepër ky optimizëm mund të bazohet në vetë faktin, kur tani dihet se ekziston një opozitë më e fuqishme si asnjëherë tjetër dhe e mbështetur nga shumica e popullit, do ta marrë një ditë jo të largët pushtetin në dorë, do të vendosë drejtësi dhe repektim të ligjit dhe do të punojë për mirëqenien e qytetarëve. Kurse ‘djelmënia’ jonë e hasdisur, që nuk i bëhet kurrë vonë (mos ua paqa borxh!), le të përgatiten për ditën e kiametit!…
Siç e paqin ba- e gjetshin! Amin!