Home Aktuale “Familja dhe Shpresa”, letër të hapur Hagës: Mos i harroni krimet serbe...

“Familja dhe Shpresa”, letër të hapur Hagës: Mos i harroni krimet serbe në Kosovë

180
0
SHARE

Kryetarja e Shoqatës “Familja dhe Shpresa”, Adifete Bytyqi, i ka shkruar kryeprokurorit të Gjykatës së Hagës, ICTY, Serge Brammertz, të cilin e porosit se “nuk i kemi harruar krimet serbe në Kosovë dhe kurrë nuk do t’i harrojmë ato”.

“U bënë më shumë se 15 vite që po presim nga përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare, përkatësisht nga gjykata ku jeni i angazhuar, për të dërguar para drejtësisë për gjykim vrasësit serbë të cilët ende sillen të lirë në territorin e Serbisë. Paraardhësja juaj, Carla Del Ponte, e ka injoruar plotësisht fatin tragjik të më të dashurve tanë dhe krimin e 4 prillit. Po jo vetëm kaq. Ajo ka ‘harruar’ 483 varreza masive té tjera në Kosovë, sepse e pat ngritur aktakuzën ndaj Sllobodan Millosheviqit dhe grupit të tij të afërt vetëm për 17 masakra-varreza masive”, thuhet në letrën e publikuar të kryetares së Shoqatës “Familja dhe Shpresa”, Adifete Bytyqi, dërguar  kryeprokurorit të Gjykatës së Hagës (ICTY), Serge Brammertz, transmeton KP.

Letra adresuar Bremmertzit është dërguar në emër të familjarëve të 86 viktimave – vëllezërve, bashkëshortëve e prindërve – të vrarë e të zhdukur më 4 prill 1999 në fshatin Kralan, komuna e Gjakovës, nga ushtria dhe policia e Serbisë.

Bytyqi i ka shkruar kryeprokurorit se me ardhjen e tij në krye të ICTY është shpresuar se do të përmirësohet gabimi i madh i Del Pontes, e të niset aktakuzë për masakrat e forcave të Serbisë edhe për rastet tjera, ndër të cilat edhe për masakrën në Kralan.

Duke shprehur dëshpërimin që kot kanë pritur veprimet e tij deri sot, Bytyqi shfaq shpresën se Brammertz megjithatë s’do t’i përsërisë gabimet e paraardhëses së tij dhe se pa vonesë do të ngrejë aktakuzë ndaj kriminelëve të luftës.

“Kërkojmë nga ju që pa ndonjë vonesë të sillni para drejtësisë ndërkombëtare dhe të ngritni aktakuzë,atje në Hagë, ndaj vrasësve dhe eprorëve të tyre – nga ushtria dhe policia serbe – dhe shtetit të Serbisë,për vrasjen dhe zhdukjen e më të dashurve tanë”, thuhet në letrën e Bytyqit.

Shoqata “Familja dhe Shpresa gjithashtu kërkon një takim me kryeprokurorin e Hagës, për t’i ndihmuar atij me dëshmitë dhe faktet me të cilat disponon për masakrën e 4 prillit 1999.

“Ju mund të zgjidhni nëse do të takoheni me ne në zyrat tuaja në Hagë apo të vini këtu në Klinë e të takoheni edhe me familjarët e tjerë të cilët kërkojnë ndihmën tuaj personale dhe të institucionit tuaj, ICTY, për të dërguar para drejtësisë fajtorët serbë që edhe pas 15 viteve gjenden në liri né Serbi”, thuhet në letrën e Bytyqit. /Telegrafi/