Home Aktuale Është një arsye për t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve...

Është një arsye për t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve në një ditë

15
0
SHARE

Shoqata e Shkrimtarëve OENEUM në bashkëpunim me Bibliotekën e qytetit “Koço Racin” në Tetovë me një sërë aktivitetesh e shënoi Ditën botërore të librit, 23 prillin.Aktiviteti letrar u realizua në sallën e vogël të Qendrës për Kulturë me një program letrar e artistik para dashamirëve të librit dhe poetëve nga trevat shqiptare.

Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum”, zonja Behare Neziri theksoi se ky aktivitet është shumë i  rëndësishëm për të shënuar këtë ditë ndërkombëtare, për të inkurajuar të rinjtë që të lexojnë më shumë e të jenë në shoqëri më të madhe me librin dhe leximin.

Drejtoresha e Bibliotekës amë “Koço Racin”, zonja Njomza Imeri-Selmani e citoi një thënie të Borgesit:”E kam imagjinuar gjithnjë parajsën si një lloj biblioteke”, për të vazhduar se për rëndësinë e librit duhet të vazhdojmëta tregojmë edhe ditëve të tjera të vitit.

“Një arsye që kjo datë të jetë univerzale  për letërsinë globale, si datë domethënëse, të caktohet nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, është arsyeja  për t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë, që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit, si edhe për të respektuar kontributin e pazëvendësueshëm, që kanë dhënë krijuesit për progresin social dhe atë kulturor”-theksoi në fjalën e saj poetja Sadije Aliti.

Gjithashtu në këtë ditë të librit u bë edhe promovimi i veprave të prozatorit Eroll Velija, për të cilin libër foli recensenti Ejup Ajdini.”Edhe pse fabula si zhanër deficitar ndër ne, Eroll  Velija, i hyri me shumë vullnet dhe kënaqësi kësaj fushe krijuese, duke qenë i bindur se do sjellë zhanrin letrar më të bukur dhe më të dashur te bota e fëmijëve, përkushtimi i autorit duket qartë, pasi nuk janë pak shtatë përmbledhje me fabula”-theksoi Ajdini.

Moderatorja e programit, poetesha Rrezearta Samiu, na i solli disa të thëna mbi librin dhe kujtesën për penat që na lanë një trashëgimi me shume tituj librash ndër breza.

Më pas u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi mes Drejtoreshës së Bibliotkës amë “Koçe Racin” dhe Kryetares së Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum”.

Ajo që ia dha bukurinë këtij manifestimi ishte Ora letrare Odeoni i Librit, ku poezitë e tyre lexuan poetët e pranishëm dhe poetët e rinjë nxënës të Gjimnazit “7 Marsi”. Programi ishte i pasur edhe me pika muzikore nga nxënësit e shkollës së muzikës të qytetit,në violinë Flakan Asllani dhe në flautë nxënëset Sumeja Emini dhe Anida Bajrami. Nga ana e Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum”, u nda mirënjohje për Bibliotekën e qytetit për përkrahje dhe bashkëpunim si dhe për poetët e rinj që lexuan poezitë e tyre në këtë manifestim.