Home Aktuale Erionin e ktheu në Kosovë AKI-ja

Erionin e ktheu në Kosovë AKI-ja

193
0
SHARE

Pas gati 100 ditësh në Siri, 8-vjeçari Erion Zena është kthyer sonte në orët e mbrëmjes në Kosovë, falë një operacioni të suksesshëm të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka përshëndetur operacionin e suksesshëm të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës për ta kthyer në Kosovë, pranë nënës së tij, të miturin Erion Zena.

Presidentja Jahjaga, në bazë të kompetencave të saj kushtetuese dhe në bashkërendim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, e kanë autorizuar operacionin e AKI-së për të gjetur dhe sjellur në Kosovë 8-vjeçarin Zena, i cili para 5 muajsh pa lejen e nënës ishte marrë nga babai i tij drejt Sirisë, për t’iu bashkangjitur grupeve terroriste që po luftojnë në territorin e Sirisë dhe Irakut, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Presidenca.

Presidentja Jahjaga, në emër të qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të vendit, falënderon burrat dhe gratë e renditur pranë Agjencisë Kosovare të Inteligjencës për devotshmërinë dhe profesionalizimin që ata kanë treguar për t’iu dalur në ndihmë qytetarëve të Republikës së Kosovës përkundër vështirësive dhe rreziqeve që ka bartur një operacion i tillë. Puna dhe përkushtimi i tyre për të mbrojtur sigurinë e secilit qytetarë dhe sigurisë sonë kombëtare në përgjithësi na bënë krenarë.

Presidentja Jahjaga thekson se qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj janë të përkushtuara të ndërtojnë një Kosovë tolerante dhe demokratike dhe nuk do të lejojnë që vendi ynë të shndërrohet në strehë të grupeve dhe individëve të caktuar që janë rreshtuar përkrahë grupeve ekstremiste dhe terroriste.

Jahjaga u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të mos ju bashkohen kauzave të huaja, por të kontribuojnë në përparimin dhe zhvillimin e vendit të tyre të cilin e ndërtuam me shumë mund, thuhet në njoftim.

Në këtë mënyrë Erioni i bashkohet nënës së tij, Pranverës, e cila me muaj të tërë ka bërë përpjekje ta kthej nga fronti i luftës.

Kohavisioni kishte raportuar më 25 gusht se si Arben Zena, i ati i Erionit e kishte marrë me vete në Siri 8-vjeçarin. Aty ishte pasqyruar edhe rrëfimi i Pranverës, që kërkonte me ngulm kthimin e të birit. /Telegrafi/