Home Aktuale Ekskluzive: Hashim Thaçi Kryeparlamentar, Kadri Veseli merr udhëheqjen e PDK’së

Ekskluzive: Hashim Thaçi Kryeparlamentar, Kadri Veseli merr udhëheqjen e PDK’së

96
0
SHARE

Një zhvillim i jashtëzakonshëm ka ndodhur këto ditë në PDK – tash kur krejt presioni i opinionit publik dhe miqve ndërkombëtarë është shprazë mbi të. Burime të Gazetës Express thonë se Hashim Thaçi pritet të kandidojë për postin e Kryeparlamentarit, derisa Kadri Veseli do ta marrë udhëheqjen e PDK’së.

Partia Demokratike e Kosovës po hesht që kur Blloku mori vendim ta votojë kandidatin e tyre për kryeparlamentar, për të krijuar kështu rrugë për zgjidhjen e ngërçit. Edhe pse që nga fillimi ishte pikërisht kjo kërkesë e tyre, pra që blloku ta votonte kandidatin e tyre për kryeparlamentar, tani që kjo kërkesë po plotësohet, kjo parti ka dalë me kërkesa të reja, duke bllokuar edhe më tutje rrugën drejt formimit të institucioneve.

Që nga atëherë, askush nga Partia Demokratike nuk është deklaruar nëse Arsim Bajrami do të jetë edhe më tutje kandidat i tyre për Kryetar të Kuvendit.

Burime të Gazetës Express brenda PDK’së thonë se zhvillimet brenda partisë kanë marrë kahje tjetër.

Sipas këtij burimi, po shqyrtohet mundësia që Hashim Thaçi të tërhiqet nga posti i kryetarit të partisë dhe të kandidohet për kryeparlamentar, ndërsa Kadri Veseli ta marrë udhëheqjen e partisë.

“Kjo s’është triku i radhës i z. Thaçi, por lëvizja e tij mirë e menduar politike”, ka thënë për Express një zyrtar i lartë i PDK’së në kushte anonimiteti.

Express ka provuar të kontaktojë anëtarë të kryesisë së partisë, mirëpo asnjëri nga ata nuk i janë përgjigjur thirrjeve. PDK ka tentuar dy herë ta zgjedhë kryeparlamentarin, me dy kandidatura të ndryshme, një herë me Agim Aliun dhe një herë tjetër me Arsim Bajramin. Të dy këto kandidatura, kanë dështuar pasi që PDK nuk ka arritur t’i sigurojë votat e nevojshme.

Pasi Blloku vendosi ta votojë kandidatin e PDK’së për kryeparlamentar, kjo e fundit ka dalë me kërkesa të reja, ku kërkon marrëveshje dhe garancë edhe për formimin e qeverisë, në të kundërtën insiston të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.