Home Aktuale Edhe një pikë kufitare Kosovë-Serbi!? (Video)

Edhe një pikë kufitare Kosovë-Serbi!? (Video)

173
0
SHARE

Kosova dhe Serbia pritet që së shpejti të kenë edhe një pikëkalim kufitar, në vendin e quajtur Kapi e Sfircës.

Nisma që është ndërmarrë nga Komuna e Kamenicës në lindje të Kosovës, e mbështetur edhe nga Komuna e Medvegjës që ndodhet në pjesën e Serbisë – por ku jetojnë qindra shqiptarë – tashmë ka marrë përkrahje nga ekipet e të dyja shteteve në bisedime.

“Së shpejti presim që të merret edhe vendimi përfundimtar për hapjen e vendkalimit kufitar në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kemi pasur takime me zonjën Edita Tahiri, e cila këtë çështje e ka ngritur në nivel të bisedimeve teknike me Qeverinë e Serbisë. Informacionet që i kemi janë se ekziston pajtueshmëri e plotë që këtu të hapet pikëkalimi kufitar”, thotë nënkryetari i Komunës së Kamenicës, Fatmir Matoshi.

Në ekipin kosovar të bisedimeve e kanë konfirmuar marrjen e kërkesës për të dialoguar në Bruksel për hapjen e këtij pikëkalimi kufitar. Visar Xani, këshilltar politik i kryenegociatores kosovare Edita Tahiri, ka thënë për Top Channel se në raundet e ardhshme pritet të diskutohet kjo temë dhe sipas tij, e njëjta pritet të gjejë mbështetjen e palëve për tu realizuar shumë shpejt.

“Ne faktikisht e kemi njoftuar Bashkimin Evropian gjatë takimeve që kishim në Bruksel. Zëvendëskryeministrja Tahiri e ka paraqitur këtë njoftim dhe në parim është mirëpritur nga të gjitha palët dhe ka mbetur që në raundet e ardhshme kjo kërkesë të negociohet ose diskutohet”, deklaron Visar Xani, këshilltar politik.

Pikërisht në vendin që quhet kapi, pritet të ndërtohet pikëkalimi kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, nëse për këtë çështje pajtohen pala kosovare dhe ajo serbe në bisedimet në Bruksel. Në zonën pas kufirit është Komuna e Medvegjës ku jetojnë rreth 500 shqiptarë, ngase qindra dhe mijëra të tjerë janë shpërngulur pikërisht për shkak të mungesës së rrugës dhe mundësisë së komunikimit me pjesën tjetër të Kosovës.

Në këtë vend shumë shpesh qytetarë të Kosovës janë arrestuar nga xhandarmëria serbe për shkak se nuk e kanë njohur si terren dhe janë konsideruar si shkelës të kufirit”. /Top Channel/Luginapress/