Home SPORT E Diela futbollistike

E Diela futbollistike

125
0
SHARE

Java e 26-të në Itali prezanton sonte në mbrëmje një tjetër 90 minutësh interesant në “San Siro” ku Milani i Seedorf pret kampionët e Juventusit. Ky konsiderohet si një nga testet më delikate të skuadrës së Contes që ndien hapat e Romës ndjekëse dhe një hap fals përballë kuqezinjve mund ta rihapë kampionatin që aktualisht është ndalur në diferencën +8 por me një ndeshje më pak për verdhekuqtë e Garcias. Torinezët numërojnë vetëm një disfatë në këtë sezon dhe kjo statistikë flet qartë për bardhezinjtë, të cilët e kanë harruar që nga ajo ditë e mallkuar e Firenzes shijen e humbjes, prandaj Milani ka përpara një sfidë, e cila kërkon shumë djersë dhe sakrificë për të ngushtuar sa më shumë diferencat teknike dhe fizike në fushën e lojës. Dy fitoret në javët e fundit janë një sinjal i rëndësishëm për Seedorf që duket se është në korsinë e duhur për të çuar sa më larg këtë skuadër dhe për më tepër misioni i këtij sezoni nuk ka asnjë objektiv të qartë, çka do të thotë më pak presion për Milanin që mbetet ende kantier në ndërtim. Taarabt është emri i momentit në Milanello, ndërsa Balotelli mbetet ende në dyshim. Nga ana tjetër, Conte prezanton dyshen Tevez-Llorente, të cilët po rezultojnë jetikë në ecurinë e frikshme të bardhezinjve këtë sezon, pasi skuadra e Contes ka grumbulluar plot 11 pikë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ndeshja vjen në kanalet SS2-SS2HD mbrëmjen e së Dielës. Po në mbremje, Fiorentina pret Lazion për të qëndruar në garë për vendin e tretë të klasifikimit.Toskanët pa Borja Valeron dhe mbrojtësin Diakite do ta kenë mjaft të vështirë ndaj kryeqytetasve që vijnë në këtë sfidë pas eliminimit nga Europa League. Nga ana tjetër, Napoli i vendit të tretë udhëton drejt Livornos së vendit të fundit për të siguruar një 3 pikësh që do të konsolidonte pozitat e skuadrës së Rafa Benitez në zonën Champions.

Spostohemi në Spanjë si rrallëherë derbi i Madridit premton edhe biletën për vendin e parë të klasifikimit. Reali udhëton pak km më larg “Bernabeut” pasi viziton “Vincente Calderon” në shëndet të plotë pas dy përballjeve të Kupës të fituara me “Los Colchoneros”. Një dozë të madhe optimizmi skuadra merengues e ka marrë edhe nga sfida e Champions League kundër Schalkes 6-1, ndërsa vendi i parë në klasifikim i jep më shumë siguri skuadrës së Ancelottit që po mahnit gjithë Spanjën me transformimin që ka pësuar në pjesën e dytë të sezonit. Me Cristiano Ronaldon të rikthyer pas pezullimit, Reali i Madridit kërkon hakmarrjen për disfatën e fazës së parë, por mbi të gjitha për të ruajtur hapin kryesues, pozicion që e fitoi vetëm një javë më parë falë edhe hapave falsë të Atleticos dhe Barcelonës. Kjo është vetëm Java e 26-të dhe ndoshta jo vendimtare për fatet e sezonit të të dyja skuadrave por në përfundim të këtij 90 minutëshi nuk ka dyshime se do të marrim një përgjigje të pjesshme për fatet e këtij sezoni që pritet të mbetet i luftuar deri në javën e fundit. Ndeshja do të luhet sot në orën 17:00 dhe do të transmetohet në kanalet SS2-SS2HD. Me një përgjigje zyrtare nga sfida e Madridit do të zbresë në fushë Barcelona e cila pret Almerian me shpresën të një hapi fals nga skuadra e Ancelottit. Përballja e “Camp Nou” vjen pas një jave plot polemika dhe për skuadrën e Martinos nuk ka alternativë tjetër përveç fitores pasi një tjetër hap fals do të thotë lamtumirë kampionat edhe pse deri në fund mbeten shumë ndeshje të tjera për t’u luajtur. Një test të vështirë ka edhe Real Sociedad që udhëton në fushën e Sevillas për të ruajtur kontaktet me Athletic Bilbao që aktualisht mban vendin e katërt.

Bundesliga konsumon sot dy përballjet e fundit të javës së 23-të ku Wolfsburg në shëndet të plotë do të sfidojë Hoffenheimin, ndërsa Eintracht Frankfurt pret Stuttgart në një 90 minutësh jetik për të dyja skuadrat që këtë sezon luftojnë për mbijetesën. Për ta mbyllur transferohemi në Holandë ku do të luhet derbi i Holandës, Feynoord-Ajax. Ky është një test real për kampionët në fuqi që mbajnë vendin e parë dhe numërojnë plot 9 pikë më shumë se skuadra nga qyteti-port. Një ndeshje e cila mbetet e paparashikueshme deri në fund sepse Feynoord-Ajax është klasikja e vërtetë e futbollit holandez.

LEAVE A REPLY