Home Aktuale DW: Macron tregoi se përse Franca po kundërshton heqjen e vizave për...

DW: Macron tregoi se përse Franca po kundërshton heqjen e vizave për Kosovën

238
0
SHARE

Samiti i Berlinit përfundoi pa arritur një emërues të përbashkët për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës e Serbisë. Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron ishin shprehur se nuk donin të impononin një zgjidhje.

Kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, erdhi te Porta e Brandenburgut për të dhënë deklaratën pas samitit, gazetarët kishin dy orë që po prisnin duke u dridhur në temperaturat dimërore të kryeqytetit gjerman.

Vonesa prej gati dy orësh kishte të bënte kryesisht edhe me përpjekjet e pasuksesshme të kryesisë gjermano-franceze të samitit për të bindur liderët kosovarë për të hequr dorë nga tarifat doganore ndaj Serbisë. Nga pjesëmarrësit në takim mësohet se këmbëngulja e kryeministrit Ramush Haradinajt për të mos e bërë këtë hap, të cilin Serbia e ka vënë si parakusht për të rifilluar bisedimet e ngecura në vend, ishte pak zhgënjyese.

Zhgënjyes kishte qenë për delegacionin kosovar edhe këmbëngulja e Francës për të mos liberalizuar regjimin e vizave ndaj Kosovës. Thaçi e shprehu këtë zhgënjim edhe para gazetarëve: “Edhe sonte kishte paqartësi rreth këtij procesi. Është diskriminim dhe ndëshkim për Kosovën”, deklaroi Thaçi.

Sipas burimeve të DW nga pjesëmarrës në takim, presidenti Macron e kishte argumentuar mosmiratimin e heqjes së regjimit të vizave me përvojën e keqe të Francës pas liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë, ku u shtua si numri i migrantëve të parregullt ashtu edhe i kriminalitetit nga këto vende. Nisur nga fushata elektorale aktuale për zgjedhjet e parlamentit evropian, Macron kishte argumentuar se nëse ai do të hiqte vizat edhe për Kosovën, kjo do të ishte në favor të partisë djathtiste të Frontit Nacional.