Home Aktuale Dr.Hedvig Kadriu: Kam mjekuar më shumë se 750.000 pacientë

Dr.Hedvig Kadriu: Kam mjekuar më shumë se 750.000 pacientë

200
0
SHARE

Dr. Hedvig Kadriu përmes rrjetit social facebook ka falënderuar të gjithë miqët kolegët dhe pacientët të cilën i kanë uruar pensionimin nga Spitali Amerikan në Prishtinë.
Në profilin e tij në facebook dr Dr Hedvig Kadriu ka thënë se gjatë karrierës së tij mjekësore 41 vjeçare ka mjekuar më shumë se 750.000 pacientë me probleme shëndetësore dhe sëmundje të ndryshme e të ndërlikuara, fëmijë, pleq e plaka, gra e burra.
Gjatë gjithë kohës së ushtrimit të profesionit të mjekut, parimi im themelorë dhe kryesorë ka qenë: “Primum non nocere, secundum cavere, tertium sanare“ (“Para së gjithash të mos dëmtohet, së dyti të parandalohet dhe së treti të shërohet”), parim ky të cilit i jam përmbajtur me përpikëri ka shkruar Dr Hedvig Kadriu.
Në vazhdim ju sjellim shkrimin e plotë të tij:

ME RASTIN E PENSIONIMIT TIM

Të dashur miq, kolegë dhe pacientë të mi,
Ju falemnderit për të gjitha urimet dhe përgëzimet e shumta që mi drejtuat drejtëpërdrejtë dhe nëpërmjet kësaj faqeje elektronike ME RASTIN E PENSIONIMIT TIM nga Spitali Amerikan në Prishtinë.
Gjatë karierës sime profesionale mjekësore 41 vjeçare, kam mjekuar më shumë se 750.000 pacientë me probleme shëndetësore dhe sëmundje të ndryshme e të ndërlikuara, fëmijë, pleq e plaka, gra e burra të kësaj treve.
Gjatë gjithë kohës së ushtrimit të profesionit të mjekut, parimi im themelorë dhe kryesorë ka qenë: “Primum non nocere, secundum cavere, tertium sanare“ (“Para së gjithash të mos dëmtohet, së dyti të parandalohet dhe së treti të shërohet”), parim ky të cilit i jam përmbajtur me përpikëri.
Gëzimet më të mëdha që i kam përjetuar gjatë ushtrimit të profesionit të mjekut, kanë qenë çastet kur nga kthetrat e vdekjes kam arritur ta nxjerrë të sëmurin, qoftë edhe përkohësishtë.
Jam shumë i lumtur dhe krenarë për faktin se gjatë kësaj periudhe të gjatë të punës profesionale dhe të mjekimit të më shumë se 750.000 pacientëve, duke i trajtuar sipas protokoleve mjekësore konvencionale, nuk kam bërë asnjë lëshim dhe asnjë gabim profesional.
Falënderim të veçantë u shprehi kolegëve dhe bashkëpunëtorëve tjerë shëndetësorë, pa ndihmën e të cilëve puna ime nuk do të ishte komplete. Studentëve të Mjekësisë u jam mirënjohës që duke zgjedhur lendën “Hyrje në Mjekësi” më ofruan mundësinë që një pjesë të përvojës dhe diturisë sime profesionale dhe intelektuale tua përcjell mjekëve të ardhshëm. Atyre dhe mjekëve të rinjë ju dhurova edhe librat e para shkencore që i shkrova në gjuhën shqipe nga lëmia e Kardiologjisë.
Për gati gjysëm shekulli, Mjekësia ishte edhe lumturia ime, edhe fatkeqësia ime.
Të gjithëve Ju dëshiroj shëndet të mirë.

Kush është Hedvig Kadriu?

Hedvig M. KADRIU ka lindur në Tërrnovc, komuna e Bujanovcit (më 04\12\1950). Shkollimin e mesëm dhe Fakultetin e Mjekësisë i kreu në Prishtinë. Është mjeku i parë që u diplomua në Fakultetin e mjekësisë, dega Mjekësia e përgjithshme, Universiteti i Prishtinës, më 04.09.1974.

Pas përfundimit të studimeve angazhohet në Fakulteti e Mjekësisë në Prishtinë, Asistent në lëndën Farmakologjia. Në vitin 1976 kalon të punoj Mjek i praktikës së përgjithshme pranë Shtëpisë së Shëndetit në Prishtinë dhe Novo Bërdë.

Në intervalin kohorë 1979-1982 u Specializua për sëmundje të brendshme pranë Fakultetit të mjekësisë, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.

Nga viti 1982 punon pranë njësisë punuese “Shërbimet specialistike” të Shtëpisë së shëndetit në Prishtinë.

Krahas punës praktike profesionale me pacientë, Dr Hedvigu merret edhe me punë kërkimore-shkencore. Ka shkruar dhe publikuar 28 punime shkencore dhe profesionale, të cilat janë publikuar nëpër Revistat Shkencore mjekësore (“Praxis Medica”) ose janë komunikuar nëpër Simpoziume dhe Kongrese vendore dhe ndërkombëtare.

Në vitin 1996, pas punës dhe mbrojtjes me sukses së temës së Disertacionit të doktoranturës, me titull: “Reaktiviteti imunologjik te personat e eksponuar veprimit kronik të plumbit”, u promovua në Doktor i Shkencave Mjekësore.

Prej aktiviteteve shoqërore të Dr Hedvigut, vlenë të veçohen këto në vijim: anëtar i Kryesisë së Shoqatës së mjekëve të Kosovës (1984–1988), anëtar i Këshillit redaktues të revistës shkencore “PRAXIS MEDICA”( 1984–1988), kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Kosovës, Selia në Prishtinë (1984–1988), anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Kardiologëve të Kosovës (2002), anëtar i Shoqatës Europeane të Kardiologjisë (2009).

Përveç publikimeve tjera shkencore, Dr Hedvigu është autorë edhe i këtyre librave dhe monografive shkencore: “ALERGOLOGJIA KLINIKE” (1983), “SËMUNDJA ISKEMIKE E ZEMRËS” – botimi i parë (1995), “ELEKTROKARDIOGRAFIA” (2001), “KANË THËNË PËR …” (2005) dhe “SËMUNDJA ISKEMIKE E ZEMRËS” – botimi i dytë (2009).