Home OPIONIONE Dizel hajnia

Dizel hajnia

275
0
SHARE
Nga Lavdim Hamidi – Edhe sheikët arabë mund t’ia kenë lakmi për fitimet e mëdha që po i realizojnë drejtuesit e kompanive kryesore për shitjen e derivateve të naftës në Kosovë, në kohën kur çmimi i “arit të zi” në tregjet ndërkombëtare ka rënë në vlerën minimale.
Nafta dhe benzina në tregun vendor po vazhdojnë të shiten me një çmim prej rreth 1 euro, apo 15 centë më shtrenjtë se në Maqedoni, derisa në tregjet ndërkombëtare çmimi i këtyre derivateve ka rënë nën 50 dollarë amerikan për barel, apo përgjysmë më lirë sesa që shitej në gjysmën e parë të vitit që lamë pas.

Çmimi i naftës edhe në tregun e Kosovës do të mundë të ishte i njëjtë si në Maqedoni, përkatësisht 85 centë për litër, po qe se kompanitë kryesore për importin e derivateve të naftës në vend, “Hib Petrol”, “Al Petrol”, “Ex Fis”, “Petrol Company”…, nuk do ta shfrytëzonin këtë situatë për të siguruar fitime astronomike në kurriz të konsumatorëve që kanë standardin jetësor më të ulët në Evropë.

Pasi që edhe taksat për një litër naftë që paguhen në Maqedoni, janë afërsisht të njëjta me Kosovën, megjithëse çmimet dallojnë shumë në të dy vendet.

Në shtetin fqinjë, Maqedoni, çmimi i naftës në treg është 85 centë, ndonëse paraprakisht paguhet akciza prej 20 centë për litër, 20 për qind taksë e doganës në vlerë të mallit dhe TVSH-ja prej 18 për qind.
Ndërsa në Kosovë, çmimi i naftës në pikat e shitjes me pakicë është 1 euro, me arsyetimin se për një litër naftë duhet të paguajnë 36 centë akcizë dhe TVSH-ja 16 për qind, edhe pse këtu nuk paguhet taksa e doganës në vlerë të mallit prej 20 për qind, si dhe TVSH-ja është për 2 për qind më e ultë se atje.
Pra, me taksa afërsisht të njëjta, nafta në Kosovë për 15 për qind shitet më shtrenjtë se në Maqedoni, përderisa autoritetet vendore po vazhdojnë ta tolerojnë plaçkitjen e konsumatorëve.

Duke ndikuar në rënien e çmimit të naftës në vlerën reale, një gjë e tillë do të reflektonte në mënyrë zinxhirore edhe në çmimet e artikujve të tjerë.
Ka pasur mundësi të bien edhe çmimet e shumë artikujve të importit, për shkak të zvogëlimit të kostos së transportit nga rënia e çmimit të naftës, si dhe të shiten më lirë shumë prodhime vendore.
Megjithatë, në nëntor të vitit që lamë pas, çmimet e konsumit në Kosovë jo që nuk shënuan rënie, por me to ndodhi e kundërta. Ato u shtrenjtuan për 0,1 për qind, në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Dhe të gjitha këto çrregullime po ndodhin në treg, kryesisht duke u ndikuar nga “tyxharët” e naftës, të cilët janë toleruar në vazhdimësi nga institucionet e Kosovës.
Për më shumë se një dekadë, ata kanë “bashkëjetuar” me njëri-tjetrin, duke forcuar dyshimet se këta biznesmenë janë vetëm përfaqësues “de jure” të biznesit që merren me tregtinë e naftës, ndërsa politikanët me ndikim, me gjasë janë pronarë “de facto” të tyre.

Pasi që nuk do të kishte kurrfarë logjike tjetër që e arsyeton tolerimin e dizel-hajnisë për një periudhë kaq të gjatë nga institucionet dhe në të njëjtën kohë askush të mos guxojë të marrë masa ndaj këtyre bizneseve.