Home Aktuale Dështoi arrestimi i Burim Demollit, vritet në Siri?

Dështoi arrestimi i Burim Demollit, vritet në Siri?

140
0
SHARE

Prokuroria e shtetit thotë se policia dështoi ta arrestonte Burim Demollin nga Prishtina, para se ai të ikte dhe më pas të vritej në Siri.

Saktësisht më 9 gusht të këtij viti Prokuroria e shtetit konfirmon një aktvendim për fillim hetimesh për terrorizëm ndaj kushërinjve Arben, Burim dhe Fidan Demolli. Më 21 gusht për të dy të parët u raportua se janë arrestuar, por që nuk u qartësua nëse ishte fjala për dy persona me emrin Burim Demolli.

Në fakt edhe në janar të këtij viti Prokuroria Speciale kishte konfirmuar hetimet për terrorizëm ndaj tre personave të familjes Demolli nga Prishtina. Atëherë me iniciale konfirmohej se fjala ishte për Arben, Burim dhe Fidan Demollin. Tani prokuroria thotë se zyrtarisht aktvendimi për hetime ndaj tyre u lëshua në gusht.

“Kundër Arben Demollit dhe Burim Demollit, më 09.08.2014 është marrë aktvendim për fillimin e hetimeve. Prokurori i rastit (Blerim Isufaj v.j), ka kërkuar që të arrestohen të pandehurit Arben dhe Burim Demolli, por ata ende gjenden në arrati dhe se ende zyrtarisht nuk është informuar se a është vrarë apo jo i pandehuri Burim Demolli”, i ka thënë Radio Kosovës, zëdhënësja e prokurorisë, Liridona Kozmaqi.

Selim Demolli, i ati i Burimit thotë se i biri i tij iku më 15 gusht së bashku me gruan dhe tre fëmijët pasi u frikësua nga dënimi.

“Dy djemtë e vëllait Arbeni dhe Fidani, që ndodhen në Siri na kanë treguar për vdekjen e tij. Ai ka qenë tre muaj në Siri dhe është kthyer në mars i penduar. Pasi policia e kërkoi ai nuk deshi të binte në duar të policisë sepse kishte frikë se do ta dënojnë. Nuk e dijë saktë se nuk kam qenë në shtëpi, por diku kah data 13 ose 15 gusht iku pa e ditur ne dhe e kishte marrë edhe gruan me fëmijë”, i ka thënë Selimi, Radio Kosovës.

Ky është rasti i dytë i personave të vrarë në Siri, që ishte dështuar të arrestoheshin në Kosovë. Policia e Kosovës nuk ka sqaruar se sa persona me këtë kategori veprës penale janë në kërkim dhe sa prej tyre janë vrarë. “Personat që ju pyesni janë nën hetime nga PSRK dhe policia nuk i ka arrestuar. Për çdo informacion drejtohuni në Prokurorisë”,thuhet në një përgjigje të Zyrës për media të Policisë së Kosovës.

Arben, Fidan dhe Burim Demolli, sipas Prokurorisë dyshohen se do të kryenin veprat penale: organizim e pjesëmarrje në grupe terroriste, si dhe nxitje të urrejtjes dhe mos durimit racor, fetar apo etnik, si dhe rekrutim për terrorizëm, (nenet 139,143 dhe 147 të KPK-së).

Ndërsa nuk është konfirmuar hetimi për personin tjetër Fidan Demollin, i cili gjithashtu sipas axhës së tij Selim Demollit ndodhet në Siri.

“Sa i përket, Fidan Demollit mund të informoheni nga EULEX, pasi që asnjë prokuror vendës nuk është duke zhvilluar hetime kundër këtij personi”, ka thënë Kozmaqi.

As në EULEX nuk kanë sqaruar ndonjë gjë rreth Fidan Demollit. Dy vite më parë kushëriri i tyre Naman Demolli, ishte shqiptari i parë që u vra në Siri. Në familje nuk konfirmojnë nëse ai ishte personi që nxiti të tre kushërinjtë e tjerë që të shkojnë në Siri. I ati i tij Selimi, thotë vetëm se ishte dhe është kundër shkuarjes në Siri.

“Nuk di çka të them tash, nuk e dijë as ku është gruaja e tij me fëmijë. Po lejen dhe përkrahjen time nuk e ka pasur”, thotë i ati.

Pavarësisht hetimeve dhe referimit të prokurorisë si “persona në arrati” në sistemin kërkues të INTERPOL-it, për këtë natyrë të veprave penale, vetëm një person nga Kosova ka fletëarrest ndërkombëtar. Ky është 24 vjeçari nga Kaçaniku, Lavdërim Muhaxheri. /Telegrafi/