Home OPIONIONE Dërrasa e kalbur

Dërrasa e kalbur

125
0
SHARE
Nga Milaim Shefkiu – Zgjedhjet parlamentare të qershorit të vitit 2014, po dëshmojnë se ishin zgjedhjet më ters që janë organizuar në këto 15 vjetët e pluralizmit. Dhe ende pa u bërë një vit, nga koalicioni i madh që dikush e quajti i “elefantëve”, Kosova ka ardhur në një situatë tejet të vështirë, ku nuk po arrin të ecë as me këmbët e breshkës.
Gjithë procesi pothuajse ka stagnuar, ndërsa Republika (siç po i referohen shumica), po ballafaqohet me një sistem tejet të brishtë demokratik. Në institucionet e Kosovës, kryesisht në Kuvend, janë gërshetuar të gjitha kategoritë e njerëzve, nga injorantët, akademikët, rrahagjoksët, iracionalistët, hajnat e klerikët. Dhe nga meritokracia e tepruar, kanë dalë përtej demokracisë, në “hamullore”, siç thotë populli.

Koalicionit dhe opozitës, të dy taborëve, tashmë u ka dalë boja.
Njëra anë po mundohet me gaz lotsjellës e me bllokim seancash t’i realizojë qëllimet e veta, ndërsa mazhoranca po e instrumentalizon policinë për të shtypur opozitën.
Të dy palët e dinë se kjo formë e komunikimit nuk është produktive. Por e keqja është se dy krahët drejtohen nga njerëzit jokooperativë që mendjen e mbajnë te bajraku.

***

Problemi që është krijuar në Kuvendin e Kosovës është politik, edhe zgjidhja duhet të jetë politike. Është plotësisht e papranueshme që çështjet politike të zgjidhen me polici, me bastisje, rrahje e madje edhe burgosje të deputetëve.

Pamjet që janë shfaqur të shtunën mbrëma në selinë e “Vetëvendosjes” në Prishtinë, duke hyrë forcat speciale të Policisë së Kosovës, të veshura me hekur e me pushkë të gjata, të rikthejnë kujtesën e ish-regjimit të kaluar serb. Edhe “Amnesty International” pranoi se aktet e tilla të Policisë janë sikurse aksionet kundër terrorizmit.

Sado që Policia e Kosovës dhe njerëzit e koalicionit u munduan ta minimizojnë këtë aksion të filmave triller, duke tërhequr paralele me arsenalin e gjetur në selinë e “Vetëvendosjes”, vetë akti i hyrjes me dhunë dhe arrestimi i dhjetëra aktivistëve të kësaj lëvizjeje, krijon frikë.

Por, Qeveria nuk shkeli vetëm këtu në “dërrasën e kalbur”. Vazhdoi me gabimin tjetër, duke përjashtuar nga seanca partitë opozitare, pas rebelimit të këtyre të fundit.

Ky ishte akti më i shëmtuar që ka plagosur demokracinë parlamentare në Kosovë.

Nëse dëshiron koalicioni LDK-PDK të mbajë seanca pa opozitën “shah në vete”, duhet të thërrasë seanca për çdo ditë. Dhe sipas skenarit të së hënës, kur u arrestuan tre deputetë, brenda një jave do të arrestohet gjithë opozita, dhe Kryesia e Kuvendit ia arrin qëllimit që Kuvendin e Kosovës ta kthejë si Kuvendin e Partisë së Punës në Shqipëri, për të cilin shumë deputetë kanë entuziazëm.

Kjo praktikë e funksionimit dhe deklaratat cinike e konfliktnxitëse që dolën nga seanca e Kuvendit pa opozitën, tregojnë se Kosova është kthyer mbrapa në evoluimin demokrat, ka mbetur si ajo fara e mërdhirë që nuk qet trung.
Partitë e koalicionit menjëherë duhet të reflektojnë në relaksimin e raporteve me opozitën dhe jo në keqësimin e mëtejmë të situatës.

***

Kjo është tabloja ku koalicioni ka rrëshqitur. Ndërsa gabimet që po i bën opozita janë dukshëm më të mëdha sesa të partive në pushtet. E para, kërkesa e opozitës për tërheqje të nënshkrimeve është joracionale. Nënshkrimet e marrëveshjeve ndërkombëtare nuk tërhiqen dhe nuk bën të tërhiqen, sepse bie kredibiliteti politik i vendit.

Çka nëse pas dy tri vjetësh në Qeveri vijnë opozitarët. Asnjë nënshkrim i tyre nuk është më valid në asnjë marrëveshje, qoftë politike apo ekonomike, sepse secila palë ka mëdyshje se ato tërhiqen pas presionit.

Tani a ka hapësirë që dy marrëveshjet të rishikohen po. Por, kërkohet durim, që fatkeqësisht opozita nuk e ka.

Duhet të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese duke mos e paragjykuar epilogun, e gjithashtu edhe vendimin e Komisionit Arbitrar për demarkacionin. E vërteta është se nuk ka Qeveri që guxon ta japë tokën e Kosovës. E ka dhënë Mbreti Zog “Shën Naumin” dhe “Vermoshin”, por gjithmonë është etiketuar si tradhtar.

Edhe ata që japin gabim ose qëllimisht tokë të Kosovës, nuk kanë tjetër epitet.

Ndërsa pretendimi që opozita të dominojë mbi masën me 30 deputetë, ta majorizojë shumicën, është joracional, jodemokratike dhe joprofitabile. Çdo bombë gazi i kushton me 1 për qind më pak të votave në zgjedhje. Po ashtu ajo që tejkalon çdo premisë demokratike është arsenali që është gjetur në selinë e partisë më të madhe opozitare. Shigjetat prej tunxhi, gaz lotsjellës, sprej piper etj., janë produkte demokratike dhe devalvojnë idenë për shfuqizimin e dy marrëveshjeve. Ajo që është e domosdoshme, është reflektimi i dyanshëm, sepse në “dërrasën e kalbur” kanë shkelur të dy palët.