Home INTERVISTA Demaçi: Serbia i financon fundamentalistët islamikë (Video)

Demaçi: Serbia i financon fundamentalistët islamikë (Video)

691
0
SHARE

Veprimtari i njohur, Adem Demaçi, thotë se një gjykatë e posaçme për krime lufte është e dëmshme edhe për aleatët e Kosovës.

“Sa vjet qëndroi këtu EULEX-i me krejt të drejtat e veta më burgosë kë të dojë, me dënua kë të dojë? Nuk i mjaftuan kaq vjet të hapë hetime për kë ka dashur? Krejt kësaj nuk po i vjen era bash mirë”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Ideja për themelimin e kësaj gjykate thuhet se ka të bëjë me individët dhe jo me UCK-në. Por, Demaçi thotë: “UÇK-ja formohet prej individëve”.

“Me ardhë në këtë farë mënyre me e poshtrue krejt një popull dhe krejt një shtet, nuk është në interes të askujt”, thotë ai. “Deri kur duan të bëjnë hajgare me neve”?

Këtë javë mbushet një vit nga nënshkrimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për Demaçin këto bisedime të imponuara nuk kanë dhënë kurrfarë rezultatesh.

“Tek e fundit, e kemi parë që Serbia nuk po i zbaton asnjërën prej tyre. Ne po i zbatojmë, Serbia nuk po i zbaton. Ende nuk po teret boja e nënshkrimeve të tyre. Po i bëjnë njëqind dredhi, mohime e lodra me ato vendime”, thotë ai.

I pyetur se cili është mendimi i tij për përfshirjen e shqiptarëve në luftëra të huaja, si ajo e Sirisë, Demaçi thotë se “prapë është këtu faji i miqve tanë”.

“Po ju japin terren e mundësi me na ardhë mjekroshët, qysh po i quan populli, ‘trefërtalshat’, prej Londre e prej andej e këndej, me i tubue njerëzit me ba kërkesa. Madje dojshin të vijnë edhe në pushtet. Jo e duam xhaminë këtu, jo e duam këtë këtu, jo kërkesa të tjera. Flasin disa hoxhë e mbajnë ‘vaize’ shumë të rrezikshme, shumë cytëse. Shkojnë e gjejnë do të shkretë, do të mjerë e do fukarenj, do vajza e do gra, e i shtinë t’i vënë shamitë atje e andej e këndej. Kjo krejt po bëhet para syve tanë”, thotë ai.

“Çka do të ndodhte me Prishtinën për shembull me eksplodue një ditë – ku tubohen njerëzit – dikush me dinamit? Këto sende nuk po i mendojmë. Duhet prerë mundësinë e ardhjes e të veprimit të atyre njerëzve. Vëllezërit e tyre, bashkëmendimtarët e tyre po i bëjnë njëqind të zeza nëpër gjithë botën. Ajo frymë ka depërtuar edhe këtu tek ne. Këtu Serbia po i financon, sepse Serbisë i intereson me e bindë botën që ‘ja këta janë fundamentalistë, s’ka gjë prej tyre, këta janë njësoj si ata kriminelët, si ata Bin Ladenët’ etj.”, thekson Demaçi.

Sipas tij, duhet urgjentisht të merren masa dhe “t’u pritet mundësia e veprimit të lirë të tyre”.

“Ne nuk kemi nevojë të krijojmë fanatikë. Ne kemi nevojë për besimtarë që i besojnë Zotit, që i duan edhe njerëzit e janë në shërbim të njerëzve. Ata po i kërkojnë ata njerëz që janë të gatshëm t’u shërbejnë njerëzve për do pare, për do fjalë, për do fanatizma që i kanë dëgjuar e i dëgjojnë për çdo ditë jo nëpër Facebook, jo nëpër xhamia, jo nëpër stacione radiotelevizive etj. Duhet të merren masa, sepse ka njerëz të luhatshëm, të paformuar si duhet që ndikohen shumë lehtë, e bëjnë skandal”, thekson Demaçi.luginapess/Telegrafi/