Home Aktuale Deliu: Na lanë të presim 3 orë në kufi

Deliu: Na lanë të presim 3 orë në kufi

142
0
SHARE

9 deputetë nga i gjithë spektri politik i Kuvendit të Kosovës po takohen sot në Beograd me deputetë të Kuvendit të Serbisë.

Paradite palët kanë disktuar për ndikimin që mund të kenë Parlamenti i Kosovës dhe ai i Serbisë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit. Shpëtim Gashi, nënkryetari i Këshillit për Qeverisje Gjithëpërfshirëse, me seli në Nju Jork, organizator i takimit, i tha Radio Kosovës se në seancën e pasditës do të diskutohet roli i kuvendeve për një kontroll më efikas të qeverive.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, Besim Beqaj, Ilir Deda, Ganimete Musliu, Sadri Ferati, Teuta Haxhiu, Lirije Kajtazi, Bardhyl Metaj, Blerta Deliu Koda dhe Sllobodan Petroviq, po diskutojnë në Beograd me kolegët e tyre nga Kuvendi i Serbisë, lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Shpëtim Gashi, nënkryetar i Këshilli për Qeverisje Gjithëpërfshirëse, me seli në Nju Jork, që ka organizuar këtë takim, tregon fillimisht për aspekte simbolike nga ky takim.

“Për shembull kemi pasur parlamentarë të Kosovës që i janë referuar Kosovës si Republika e Kosovës, ndërsa nga parlamentarët e Serbisë si Kosova e Metohija. Por kjo ka kaluar në mënyrë miqësore dhe është arritur një pajtim se këto cështje tashmë janë tejkaluar”, tha ai për Radio Kosovën.

Gashi tha se në sesionin e pasditës do të diskutohet roli i kuvendeve për një kontroll më efikas të qeverive, ndërsa shtoi se gjatë sesionit të paraditës ku është folur për implementimin e marrëveshjes së Brukselit, ka pasur ankesa nga të dyja palët.

“Ka pasur sidomos nga parlamentarët e Kosovës ankesa se Beogradi po vonon në implementimin e disa marrëveshjeve, kurse nga parlamentarët e Serbisë ka pasur ankesa se Kosova nuk po bën sa duhet në implementimin e atyre pjesëve që këta janë të interesuar, sidomos në formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, tha ai.

E përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojnë edhe më tej. Gashi tregon për takimin e radhës.

“Si pjesë e normalizimit të marrëdhënieve, ne do të organizojmë një takim tjetër, mes ministrave dhe koordinatorëve të dialogut të Serbisë dhe Kosovës që do të mbahet në Berlin javën e ardhshme”, tha Gashi.

Takimi në Beograd

Parlamentarët e të dyja vendeve në një konferencë në Qendër të Beogradit, janë shprehur optimistë se normalizimi i marrëdhënieve edhe pse i vështirë ka shënuar përparime.
Fakti se deputetët nga Republika e Kosovës janë pritur zyrtarisht në Beograd, tregon një përparim në vete e që ishte vështirë e paramendueshme të ndodhte vite më parë.
Bardhyl Meta, deputet ka deklaruar se arritja e tyre në Beograd është një shenjë normalizimi dhe thyerje e një tabuje të madhe jo fort për ne sa për Serbinë sepse për ta është ende e vështirë dhe vërehet një shtrengim te ta edhe kur debatojmë në mes vete.

Blerta Deliu, deputete deklaroi se përkundër pritjes tri orëshe në kufi dhe një vonimi të delegacionit kosovarë, “ne arritëm që të sjellim përcjelljen zyrtare nga kufiri deri këtu në Beograd. Për mua është vizita e parë dhe mendoj se tashmë është koha që edhe parlamentarët ti kontribojnë marrëdhënieve midis dy shteteve, sidomos në fushën e të pagjeturve që është ngritur sot gjatë takimit”.

Besim Beqaj, deputet tha se Kosova është ndarë nga e kaluara, Kosova është shtet dhe e orientuar të bashkëpunojë me të gjithë fqinjët. “Ne parlamentarë duhet të kontribojmë dhe ti trajtojmë çështjet si personat e pagjetur, luftimi i ekonomisë jo formale, trajtim i dëmeve të luftës që është element i rëndësishëm e poashtu, kalimet ndërkufitare dhe marrëveshjet për energjinë dhe ekonomike në përgjithësi”.

Branko Ruzic, deputet në Serbi tha se parlamentet e kanë ndikimin e vet si në shoqërinë e Kosovës ashtu edhe të Serbisë, dhe konsiderojë se për shkak të pajtimit dhe heqjes së disa paragjykimeve duhet të komunikohet dhe të ndihmojmë njëri tjetrin, ashtu sic e parashohin edhe marrëveshjet në Bruksel, e që janë me rëndësi, sidmos për pikat që mund të bllokojnë proceset e integrimit në evropian dhe shoqërive tona për në Evropë.

Megjithëkëtë, ndryshe nga deputetët e tjerë, mendon Ilir Deda i cili qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje e shpalos duke theksuar se njohja duhet të ndodhë para normalizimit të marrëdhënieve.

Ilir Deda, deputet thote se bashkëpunim dhe normalizim nuk ka pa njohje të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë, sepse “ne nuk mund të themi se po ecim përpara kur Serbia e lufton shtetin e Kosovës në arenë ndërkombëtare dhe se emëron kriminel lufte për udhëheqes të ushtrisë së vet”.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe të Serbisë në takimin që po mbahet në Beograd janë përfaqësues të të gjitha subjekteve politike parlamentare. Konferenca e cila do të zgjasë dy ditë organizohet nga OJQ-ja Amerikane CIG e mbeshtetur nga Departamenti Zvicerran per Politike te Jashtme.