Home Aktuale Çfarë po ndodh në Kosovë dhe çka mund të bëhet nga Zvicra?

Çfarë po ndodh në Kosovë dhe çka mund të bëhet nga Zvicra?

191
0
SHARE
Të enjten, në emisionin “Forum” të radios së transmetuesit publik (sfr) debatohet lidhur me aktualitetin e Kosovës, gjegjësisht valën e muajve të fundit të migracionit nga Kosova drejt perëndimit. Në këtë emision janë të ftuar Ylfete Fanaj, deputete në Parlamentin e Kantonit të Lucernit dhe Walter Müller, korrespondent i SFR për Evropën Juglindore.

“Dhjetëra mijë kosovarë kanë braktisur vendin e tyre gjatë muajve të fundit, mes tyre edhe familje të tëra. Gjithnjë më shumë prej tyre tashmë po hyjnë ilegalisht në Zvicër. Çfarë po ndodh në Kosovë? Çka duhet të bëjë Zvicra për të ndihmuar në vendin e ngjarjes?”. Mbi këtë realitet pritet të zhvillohet debat në studio në mes të dy pjesëmarrësve.

Kosova është prej shtatë vitesh e pavarur. Zvicra investon për çdo vit nga 65 milionë franga në shtetin e ri.

Paratë rrjedhin në programet zhvillimore dhe në misionin e Swisscoy-t për promovim të paqes.

“Megjithëkëtë, në Kosovë korrupsioni ka marrë shtrirje të gjerë ndërsa pothuaj gjysma e popullatës është e papunë”, thuhet në prezantimin e emisionit, transmeton albinfo.ch.

“Gjatë muajve të fundit ndodhi një eksod masiv. Rreth 50 mijë kosovarë kanë lënë mbrapa shtëpitë, shkollat dhe punën, duke marrë rrugë me autobusë për në Evropën perëndimore përmes Hungarisë. Të shumtët shkojnë në Gjermani, Austri ose Itali. Disa qindra prej tyre kanë “zbarkuar” në Zvicër. Këtu ata nuk kanë asnjë shans për azil, prandaj përpiqen të gjenden disi ilegalisht.

Si reagojnë ndaj këtij eksodi kosovarët me qëndrim të rregullt, legal në Zvicër dhe si munden ata dhe Zvicra zyrtare të ndihmojnë më mirë shtetin e ri? Këtyre pyetjeve do t`u përgjigjen dy mysafirët e përmendur në emisionin që mund të dëgjohet në radio srf1 me fillim në orën 1.20 minuta. /albinfo/