Home Shëndeti Çfarë është kanceri i qafës së mitrës dhe cilat gra rrezikohen

Çfarë është kanceri i qafës së mitrës dhe cilat gra rrezikohen

154
0
SHARE

Kanceri i qafës së mitrës është një tumor që formohet në qafën e mitrës së gruas.

Çfarë është kanceri i qafës së mitrës?

Kanceri i qafës së mitrës është një tumor që formohet në qafën e mitrës së gruas. Ai renditet i dyti mbas kancerit të gjirit, por ka një vdekshmëri më të lartë. Në Europë, çdo vit rreth 60.000 gra preken nga kanceri i qafës së mitrës dhe gati gjysma e tyre vdesin prej tij. Një nga arsyet për këtë situatë është se shumë gra nuk kanë njohuritë e duhura për mënyrat e parandalimit.

Në Shqipëri kanceri i qafës së mitrës për bën gati gjysmën e rastiste me tumore malinje që prekin aparatin gjenital femëror dhe në pjesën më të madhe të rasteve kapet në faza mjaft të avancuara.

Cili është shkaktari kancerit të qafës së mitrës?

Kanceri i qafës së mitrës është pothuaj i vetmi për të cilin njihet shkaktari kryesor i tij. Shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës është uman Papilom a Virus ose HPV. Ka më shumë se 100 tipe të virusit HPV, por vetëm një pjesë prej tyre janë viruse me rrezik të lartë dhe shkaktarë të kancerit të qafës së mitrës. HPV është një virus i cili mbasi hyn në organizëm mbetet aty i fshehur me vite pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje.

HPV përhapet nëpërmjet kontakteve seksuale dhe është më i zakonshëm në grup moshat e reja të cilat janë seksualisht aktive.

Rreziku i infektimit rritet me shtimin e numrit të partnerëve seksualë. Femrat që bëhen seksualisht aktive në një moshë të re, që kanë shumë partnerë seksualë apo partnerët e të cilave kanë të tjerë partner seksual janë në rrezik më të madh.

Cilat femra rrezikohen prej kancerit të qafës së mitrës?

Çdo grua mund të preket nga kanceri i qafës së mitrës. Por një femër është më e rrezikuar për tu prekur nëse:

-Ka filluar herët aktivitetin seksual

– Ka partnerë seksual të shumtë

– Ka partnerë të cilët kanë apo kanë patur shumë partnere seksuale

– Ka një infeksion nga virusi i papilomës njerëzore – HPV

– Ka apo ka patur një infeksion seksualisht të transmetueshëm

– Nëna, motra apo gjyshja e tyre ka patur kancer të qafës së mitrës

-Ka patur shtatzëni të shumta

-Ka imunitet të ulët

Si mund të mbrohesh nga kanceri i qafës së mitrës?

Kanceri i Qafës së mitrës është i vetmi kancer për të cilin shkenca tashmë e di me saktësi se çfarë duhet bërë për të parandaluar pothuajse çdo rast:

• Vaksinimi me vaksinën kundër virusit HPV

• Bërja rregullisht e PapTestit.

Çdo femër duhet ta dijë këtë gjë! Vaksinimi me vaksinën kundër virusit HPV dhe bërja rregullisht e PapTestit parandalojnë gati 90% të rasteve me kancer të qafës së mitrës.

Çfarë është vaksina kundër HPV-së?

Falë arritjeve të shkencës, sot është prodhuar një vaksinë e cila të mbron nga infektimi me virusin HPV. Vaksina siguron një mbrojtje të lartë për dy tipet e virusit HPV, që janë shkaktarët më të shpeshtë të kancerit të qafës së mitrës. Për fat të mirë, vaksina sot gjendet edhe në rrjetin farmaceutik shqiptar. Vaksina rekomandohet të bëhet përpara fillimit të aktivitetit seksual, pra përpara infektimit me virusin HPV. Mosha e rekomanduar është ajo midis moshës 10-26 vjeç. Por edhe të gjitha femrat mbi këtë moshë mund të vaksinohen nëse janë akoma të painfektuara në momentin e bërjes së vaksinës. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar futjen e kësaj vaksine në kalendarin bazë të vaksinimit për femrat. Vaksinimi e ul rrezikun e kancerit të mitrës por nuk e eliminon nevojën e bërjes së Pap Testit.

Çfarë është PAP Testi?

Pap Testi është një test i shpejtë, i thjeshtë, i padhimbshëm, që zgjat vetëm pak minuta, por që mund të shpëtojë jetën! Pap Testi bëhet për të treguar nëse një femër ka apo jo kancer të qafës së mitrës. Nga momenti i shfaqjes së qelizave jo normale në qafën e mitrës deri në shfaqjen e plotë të kancerit të qafës së mitrës duhen shumë vjet, rreth 10 deri në 20 vjet. Fatmirësisht koha e gjatë e zhvillimit të këtij lloj kanceri i jep mundësinë një femre ta kapi në kohë atë, nëse kontrollohet rregullisht. Nëse një femër kontrollohet rregullisht, pra bën pap teste të rregullta, mund ta kapi në kohë kancerin e qafës së mitrës, atëherë kur trajtimi bëhet më i lehtë dhe shanset për kurimin e tij janë shumë më të mëdha. Është e rëndësishme që të gjitha gratë ta bëjnë rregullisht Pap Testin, si pjesë e kujdesit të zakonshëm për shëndetin e tyre. Rekomandimet për kryerjen e Pap Testit janë të ndryshme. Disa rekomandojnë kryerjen e Pap Testit çdo 1-3 vjet.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë rekomandohet:

Të gjitha femrat e moshave nga 21 deri në 65 vjeç duhet të kryejnë PapTestin rregullisht!

Si kryhet Pap Testi?

Pap testi kryhet ambulatorisht në një klinikë apo spital. Rreth 2 ditë para kryerjes së Pap testit duhen shmangur dushet vaginale, përdorimi i suposteve vaginale, kremrave spermicid, sprajtit dedorant vaginal si dhe shmangia e marrëdhënieve seksuale, mbasi të gjitha këto ndikojnë në rezultatin e Pap Testit. Gjithashtu, kryerja e Pap testin bëhet jo në periudhën menstruale, por disa ditë larg menstruacioneve.

Ndërkohë që gruaja shtrihet tek shtrati i vizitës, mjeku merr një sasi qelizash prej qafës së mitrës me një furçë të vogël që është posaçërisht për këtë. Materiali më pas dërgohet në laborator për tu parë nga mjekë specialistë. Përgjigjja jepet mbas rreth 2 javësh. Është e rëndësishme për një grua të diskutojë rezultatet e PAP testit me mjekun.

Nëse rezultati i PAP Testit është normal, rreziku për kancer të qafës së mitrës është i ulët. Por edhe nëse rezultati i PAP Testit është normal, gruaja nuk duhet ta ndërpresë bërjen e Pap Testit por duhet të vazhdoj rregullisht bërjen e tij çdo 1 – 3 vjet. Nëse rezultati i PAP Testit del jo normal, do të thotë që disa qeliza jo normale janë gjetur në qafën e mitrës, por kjo nuk do të thotë gjithmonë që janë kanceroze.

Është e rëndësishme të mbajmë mend se qelizat jo normale jo gjithmonë bëhen kanceroze. Në disa raste pjesët jo normale duhen hequr që të mos kthehen në kancer. Kjo gjë kërkon një trajtim të thjeshtë në spitalin gjinekologjik dhe nuk kërkon që ju të shtroheni. Ky trajtim nuk ndikon në jetën seksuale apo në mundësinë për të patur fëmijë.

Nëse Pap Testi tregon një dyshim apo gjendje jo normale mjeku kërkon të përsëritet testi mbas 6 muajsh a po të kërkojë të kryen ekzaminime të tjera shtesë si kolposkopi po biopsi. Biopsia është e vetmja mënyrë e sigurtë për të përcaktuar nëse qelizat jo normale kanë lidhje me kancerin.