Home SPORT Carles Puyol i thotë lamtumirë Barçës

Carles Puyol i thotë lamtumirë Barçës

132
0
SHARE

Adios Barcelona, Mbrojtësi dhe Kapiteni i Barçës, Carles Puyol, 35- vjeçar, lajmëroi pasditen e së Martës se do të largohet nga klubi në fund të sezonit. Puyol që ka një kontratë me blaugranat deri në Qershorin e 2016-ës, shpjegoi se e morri këtë vendim për shkak të problemeve fizike që ka vuajtur në muajt e fundit. I shoqëruar në sallën e konferencave të shtypit nga disa nga shokët e skuadrës që nuk ishin të grumbulluar me kombëtaret, Puyol paralajmëroi fundin e një historie të gjatë me klubin katalanas.

“Në fund të sezonit nuk do të jem më lojtar i Barcelonës. Pas gjithë këtyre dëmtimeve më ka kushtuar shumë që të rikuperohem për të arritur një nivel të mirë, më shumë nga sa e mendoja. Nuk e di se çfarë do të bëj pas 30 Qershorit. Historia ime me Barcelonën nuk mbaron sot, mbeten edhe tre muaj deri nga fundi i sezonit dhe sigurisht që nuk do të qëndroj duarkryq. Në fund të sezonit do të organizoj një tjetër konferencë shtypi për t’ju përgjigjur të gjithë pyetjeve tuaja. Tani kam nevojë të pushoj dhe pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Carles Puyol është padyshim një nga njerëzit simbol të Barcelonës në botë. Një flamur autentik dhe kapiten i Barçës, klub në të cilin debutoi me skuadrën e parë në 2 Tetor të 1999, kur në stol ishte trajneri aktual i Holandës, Louis Van Gaal. Në total ka luajtur 593 ndeshje me fanellën blaugrana, fanellë me të cilën ka fituar plot 21 tituj, 6 kampionate në Spanjë, 3 Champions, 2 Kupa të Mbretit, 6 Superkupa të Spanjës, 2 Superkupa të Europës dhe 2 Botërorë për klubet. Ka fituar edhe Botërorin e 2010 si dhe 2 kampionate Europianë me Spanjën, skuadër ku ka qenë sërish një simbol duke grumbulluar me “La Rojan” 100 prezenca dhe 3 gola, (njëri deciziv në gjysmëfinalen e Botërorit 2010 të fituar 1-0 ndaj Gjermanisë). Në listën e lojtarëve më fitues të futbollit spanjoll, është në vendin e dytë, pas shokut të tij te Barcelona, Xavi Hernandez. Në palmaresin e tij të pasur figuron edhe medalja olimpike e argjendë në Lojërat e Sydney 2000.

LEAVE A REPLY