Home LAJME Bujanoc: Për një Këshill Nacional mbipartiak

Bujanoc: Për një Këshill Nacional mbipartiak

136
0
SHARE
Në takimin e zgjeruar të Shoqërisë Civile “Perspektiva”, në Bujanoc, në praninë e një numri të madh intelektualësh u diskutua për rolin dhe rëndësinë, e zgjedhjeve të reja për Këshillin Nacional, në Luginën e Preshevës.
E veçanta e këtyre zgjedhjeve për Këshillin Nacional, për dallim nga ky mandat, që po e lëmë prapa, është se ato do të organizohen direkt nga Administrata shtetërore dhe pritet një pjesëmarrje më e kënaqshme e subjekteve shqiptare në këtë proces të rëndësishëm shoqëror e kombëtar.

Bojkoti eventual nga disa parti i zgjedhjeve për Këshillin Nacional, nuk do të thotë se do ta zbeh organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve nacionale, por do të ndikoj në cilësinë e përbërjes dhe funksionimit të tij.

Në zgjedhjet e kaluara të vitit 2009, për Këshillin Nacional, morën pjesë aktive vetëm dy parti: Partia për Veprim Demokratik dhe Unioni Demokratik Shqiptar.

Këshill Nacional, në përbërjen e tij, kishte 29 anëtarë, ekskluzivisht pjesëtarë vetëm të këtyre dy partive, të cilët ndonëse thirresh në emër të të gjithë shqiptarëve në Serbi, ata vendosnin mbi baza partiake në fushat e kompetencave të këtij organi të lartë institucional shqiptar.

Gjatë mandatit, që po e lëmë mbrapa të Këshillit Nacional, s’ka se si të mos përmenden disa veprime jo të këndshme për shqiptarët e këtij rajoni si: botimi i Abetares pa identitet, botimi i revistës “Nacional”, organ i këtij Këshilli me ngjyra partiake, pëlqimet e njëanshme për drejtorë të shkollave dhe projekte të shoqërisë civile si dhe mosbashkëpunimi me pushtetet lokale, të cilat jo rrallë krijonin ngërçe në shumë sfera të veprimtarisë shoqërore e kombëtare për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc, e vlerëson shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e gjerë të spektrit politik dhe apolitik, në zgjedhjet e reja për Këshill Nacional.

Konkurrenca në këto zgjedhje, garanton një udhëheqje më profesionale, më legjitime dhe më të përgjegjshme të udhëheqësisë së ardhshme të Këshillit Nacional. Udhëheqësia e Këshillit të ardhshëm Nacional, sipas shoqërisë civile, duhet të jetë e zhveshur nga petku partiak, në mënyrë që ky këshill të këtë kuptimin e një organi mbipartiak. Meqë shumica e intelektualëve në Luginë të Preshevës, i përkasin partive të shumta politike, përfshirja eventuale e tyre në këto procese, do të ndikonte pozitivisht në zgjedhjen e një Këshilli, më ndryshe nga, ai, i mëparshëm.

Në qoftë se zgjedhjet e kaluara për Këshill Nacional ishin eksperimental, nga se ishin të parat e këtij lloji në Luginë, këto të dytat duhet të jenë profesionale dhe gjithëpërfshirëse.

Shoqëria Civile “Perspektiva’, në Bujanoc, ka koncept dhe vizion të qartë rreth zgjedhjeve për Këshill Nacional dhe nuk përjashton mundësinë e pjesëmarrjes aktive në këto procese shumë të rëndësishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës, njofton Shërbimi për Informim, i Shoqërisë Civile në Bujanoc./rajonipress/luginapress