Home Aktuale Bujanoc: Gjuha shqipe jashtë përdorimit zyrtar!

Bujanoc: Gjuha shqipe jashtë përdorimit zyrtar!

73
0
SHARE

Shoqëria Civile “Perspektiva”, ka ngritur edhe një shqetësim tjetër të qeverisjes multietnike në Komunën e Bujanocit, e cila barbarisht, po e injoron përdorimin e gjuhës shqipe nëpër dokumentet zyrtare.

Dygjuhësia në nivel lokal në Bujanoc, është rregulluar me statut komune, që nga viti 2002, mirëpo mjerisht zbatimi i saj në praktikë edhe sot pas 12 vjet pushtet ajo çalon, anashkalohet e bojkotohet dhe nga vetë zyrtarët shqiptarë.

Komuna e Bujanocit, është me shumicë shqiptare dhe fatmirësisht e udhëhequr nga struktura shqiptare, të cilat nëpër resorët komunalë dhe ndërmarrjet publike, kanë të angazhuar shumë pak përkthyes profesional dhe asnjë lektor gjuhësor.

Zyrtarët komunalë shqiptarë, të shumtën e rasteve dokumentet i firmosin vetëm në gjuhën serbe, po ashtu edhe procesverbalet, planet dhe programet e ndërmarrjeve publike dhe aktet e tjera zyrtare jepen vetëm në serbisht, rrallë e tek në gjuhën shqipe.

Funksionerët shqiptarë shumica e tyre, shkollimin e lartë e kanë mbaruar në gjuhën serbe dhe për ta më lehtë është të flasin e shkruajnë serbisht se sa në gjuhën amtare.

Rast eklatant e kemi Ndërmarrjen Publike “Komunalia” dhe organin e saj të dhunshëm, i cili ka urdhëruar shërbimin administrativ të mos pranoj shkresa në gjuhën shqipe, por vetëm në gjuhën serbe!

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc, ka ngritur alarmin e rrezikimit të gjuhës shqipe nga vetë shqipfolësit, të cilët pavetëdije, apo qëllimisht po e rrezikojnë përdorimin e gjuhës shqipe në dokumentet zyrtare.

Gjuha, arsimi dhe kultura, janë veti karakteristike të një populli, pa të cilat nuk mund të mbrohet identiteti e as të ketë përparim shoqëror dhe kombëtar.

E fatkeqësisht në Komunën e Bujanocit, këto veti karakteristike kanë filluar të zbehen në favor të një multuetniciteti, i cili i ka ngulfatur shumë iniciativa edhe të mbishkrimit në sheshe e rrugë.

Nuk ka askund në botë si në Bujanoc, ku rrugët mbajnë emra të personaliteteve të kulturës serbe, e banorët e saj janë qind për qind shqiptarë.

Në Komunë të Bujanocit dhe më gjerë në Luginë të Preshevës, dikur është mbajtur një Referendum popullor, pastaj është zhvilluar edhe një luftë, që shqiptarët të gëzojnë më shumë të drejtat në fushën e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare, të cilat, mjerisht, injorohen nga vetë pushtetarët shqiptarë!

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc