Home Aktuale Bujanoc: Azili i qenve dhe klubet e natës

Bujanoc: Azili i qenve dhe klubet e natës

47
0
SHARE

Në një nga mbledhjet e rralla të Këshillit Komunal për Siguri të Bujanocit, kohë më parë, u ngrit si shqetësim i madh qytetar, prania e qenve endacakë dhe veprimi ilegal i lokaleve të natës.

Emërues i përbashkët i këtij takimi ishte izolimi i qenve endacakë dhe mbyllja e klubeve të natës, të cilat po e rrezikojnë sigurinë e qytetarëve në ambiente të hapura dhe në ato të mbyllura.

Nga këto qëndrime lëre, që nuk u pakësuan qentë e rrugës, por ato u shtuan edhe më shumë, bile sillen me kamionë nga qendra të ndryshme të Serbisë. Po ashtu edhe lokalet e natës nuk u mbyllën, ato më shumë po “lulëzojnë” me vasha të reja të ardhura nga Serbia, Kosova dhe Shqipëria. Një dallim i vogël është se prostitutat vijnë me autobusë, ndërsa qentë me kamionë!

Tregtia e prostitucionit, që ndryshe quhet tregtia me “mish të bardhë”, e ka gjetur Komunën e Bujanocit, si një truall të përshtatshëm për shërbime seksuale me çmime jo edhe aq të volitshme.

Këshilli Komunal i Bujanocit, për t’i luftuar këto dukuri ofroi 1.800,000,oo din rreth 17 mijë euro, për rregullimin e Azilit të qenve në Zhbevc të Komunës së Bujanocit. Për këtë Azil të qenve, para do vitesh u ofruan edhe 2 milion dinarë rreth 20 mijë euro, dmth 3.800,000,oo din, diku rreth 37 mijë euro, e problemi i qenve vazhdon të jetë akoma aktual.

Po sikur të gjitha këto mjeti t’u kishin ndarë ekonomive shtëpiake, për t’u ofruar strehë këtyre kafshëve të gjora, me siguri se numri i tyre ishte pakësuar dukshëm nëpër rrugë dhe qytetarët e Bujanocit, do të ishin marrë si shembull i mirë në rajon, për kujdesin ndaj qenve.  

A sa i përket “striptiz-bareve” në Bujanoc, ato mjerisht nuk sjellin vetëm kënaqësi shpirtërore në shoqëri me vajza të zgjedhura, por edhe me zhurmë, zënka, rrahje dhe krisma armësh, të cilat jo rrallë përfundojnë edhe me lëndime fizike.

Për të vënë rend në këtë “Las Vegas” të vogël të Luginës, me qindra policë e inspektorë tatimorë, mbërthyen lokalet e natës, kazinot, bastoret etj, duke bllokuar “Rrugën e Kosovës” në Bujanoc, në kërkim të “lejeve të punës” dhe “striptizerkave”.

Bashkatdhetarët tanë, të cilët po i kalojnë ditët e pushimeve në vendlindjes, e që sollën gjallëri nëpër rrugët tona dhe freski nëpër restorante, po kthehen të zhgënjyer nga këto pamje jo të këndshme, të cilat po ndodhin ditëve të fundit në gjirin familjar.

Ata bënë rrugë të gjata me mijëra kilometra dhe pritje nëpër kolona të pafund për të ardhur tek të afërmit e tyre dhe për tu çmallur me ta në rrugë e sheshin e qytetit. Por, ja që sheshi i qytetit të Bujanocit u mbyll për rregullim infrastrukturor, bash në kulmin e pushimeve të tyre, madje tashti edhe rrugët po bllokohen nga policë e inspektorë. 

Lokalet e natës dhe qentë endacakë, janë problem paksa më i vjetër se sa aksioni i policisë, i cili ka mundur të zhvillohet shumë më herët ose pak më vonë, e jo pikërisht në kohën e pushimeve të bashkatdhetarëve.  

Vlen të theksohet se qytetarët e Komunës së Bujanocit, kanë probleme edhe më të rënda se sa dukuria e qenve dhe prostitutave, por duke u “argëtuar” me këto fenomene, ata përkohësisht lirohen nga skamja, papunësimi dhe injorimi institucional.

Nga Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc

LEAVE A REPLY