Home Kulturë Botohet libri:Bujanoci, burim i trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore

Botohet libri:Bujanoci, burim i trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore

560
0
SHARE

Doli nga shtypi libri “Bujanoci, burim i trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore” me autorin nga Presheva, Xhemaledin Salihun.
Libri në fjalë i cili këto ditë doli nga shtypi, në botim të shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë dhe shtëpisë botuese “Kurora” në Gjilan, është një libër që në vete përmban hulumtime historike që ndërlidhen me vendbanimet shqiptare të Bujanocit.

Hysen Këqiku: 

PËRFUNDIM I PAPËRFUNDUAR 

Libri: “Bujanoci, burim i trashëgimisë sonë kulturore dhe natyrore” i autorit Xhemaledin Salihu, brenda koopertinave të saja përmbanë një lëndë të gjerë hulumtuese, studiuese dhe mbi të gjitha një të kaluar të bjerrur hullive të gjata e të largëta historike. Kjo e kaluar e largët e nënqiellit tonë, në të cilin frymojmë, ëndrrojmë dhe hulumtojmë të kaluarën tonë, nuk mund të na bëjë të rehatshëm kur të kihet parasysh e tërë pesha e rëndë e atyre fiseve dyndësish, që kaluan nëpër  të kaluarën tonë duke na lënë kështu siç jemi të copëtuar e me shumë kufij në mes vëllezërve të një gjaku, të një historie, të një të kaluareje e cila nuk qe e lehtë por e dhembshme,  pasojat e së cilës nuk mund t’i heqim për shekuj me radhë.

Territori nëpër të cilin eksploroi autori me grupin  hulumtues, i përket një historie  të rëndë e të padrejtë sepse duke qenë  si një territor që lidh territore dimenziuonesh të largëta që i eksponuar t’u bëj ballë përkatësisht të ballafaqohet me ngjarje të rënda e të papërbllueshme.

Jo vetëm Bujanoci që me këtë rast është lëma e hulumtimit, por qytete dhe fshatra të tëra deri në vitin 1877/78 qenë të banuara me shumicë shqiptare në këto territore të trashëguara nga të parët që ishin autokton që nga pellazgët e lashtë dhe ilirët.

Luftërat serbo-ruso – turke,  të vitit 1877/78 qenë të kobshme, sepse popullata autoktone e Sanxhakut të Nishit i cili përfshinte Vrajën, Nishin, Leskocin, Prokuplen, Kurshumlinë si dhe Bujanocin me Preshevë e Medvegjë, u detyrua t’i braktisë këto vende  deri në krijimine kushteve të tjera për t’u kthyer, por, kjo ëndërr nuk u realizua nga se kongreset e ndryshme,  evropiane, tokat shqiptare, i ndanë si bishat prenë për aleanca e hatre –ti për mua e unë për ty por në dëm  të shqiptarëve.

Që nga Naisusiana e deri në ditët e sotme jo vetëm ngjarjet e viteve 1877/78, që padyshim ishin të kobshme,  por numër shumëshifror sosh  e dërmuan popullin tonë, e gllabëruan duke djegur e duke rrafshuar me tokë kulturën e tyre shpirtërore dhe materiale.

Historia ende nuk e ka thënë fjalën përfundimtare për atë numër shumëshifrorë banorësh që ikën me kalamaj ndër duar, pleq e plaka, të sëmuar e të gjymtuar, për të gjetur shpëtim. Kah shkuan, ku shkuan, ku krijuan plang për ta vazhduar jetën, sa ishin në numër, sa prej tyre  vdiqën me armë në dorë, sa u dogjën, u torturuan, u hudhën në det në emër të “humanizmit”  për t’i deportuar larg diku në orient.

Armiku ç’gjeti e dogj e shkretoi. Objektet kulturore, e fetare i bëri rrafsh për toke.

Veçmas, objektet e kultit fetar. Fatkeqësisht mbi ato themele ngriti kulte të vetat duke varrosur kulturën materiale të krijuar nga breza të tërë, gjeneratë pas gjenerate.

Ç’ka ka mundur të ruaj toka që  në gjirin dhe ngrohtësinë e saj, ruan eshtrat e të parëve, çka ka mbetur  nga ajo katrahurë e gjatë dhe e dhembshme  për t’i treguar botës, edhe sot, se aty jetuan të parët tanë dardanët, fisi më i madh ilir nga të cilët u krijuan shqiptarët.

Leximi është veprim pasionant sepse ngjall dhe rikujton të kaluarën, duke e mbajtur  të fortë e të lidhur me historinë  e vet, me fitoret dhe humbjet duke i nxjerr në log  të vërtetat historike dhe gjetjen e rrugëve për të shpëtuar çka është e mundshme ose për të ruajtur dhe gjetur atë që ka mbetur  për të kujtuar të kaluarën ose të fshehtën të cilës duhet t’i besojmë.

Të gjitha këto mu kujtuan duke shfletuar këtë libër,  në dorëshkrim të Xhemaledin Salihut, të cilën autori e titulloi “Bujanoci, burim i trashëgimisë tonë kulturore dhe natyrore” dhe natyrisht  më frymëzoi  fuqishëm  për të ecur gjurmëve të gjetjeve  të  shumëta të një lënde të paeksploruar nga dorë e sigurtë e për ta nxjerrë në pah, pa konatacion  negativ, pa pasë pretendim të përvehtësojë atë që nuk është  për ta përvetësuar, atë që historikisht nuk është e  fushës së krijuesve autoktonë etj., por e një dore  të një njeriu hulumtues e humanitar i përmasave  të gjeniut popullor: “E di të mirën?  -E di. –E di të keqen? -E di. –Hajt pra ban mirë e mos bënë keq!…” Ky është  autori Xhemaledin Salihu, i cili për ta bërë libër,  duke udhëhequr një grup hulumtuesish vullnetmirë, grumbulloi lëndë të bollshme  të klasifikuar në  shtatë kapituj:

1.Objekte dhe lokalitete arkeologjike,

2. Objekte sakrale islame me një vështrim historik për përhapjen e fesë islame në Kosovën Lindore përkatësisht në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë,

3. Objekte sakrale të krishtera,

4. Objekte të banimit dhe ndërtesa ndihmëse,

5. Objektet publike,

6. Përmendoret, lapidarët, bustet dhe pllakat përkujtimore, dhe

7. Trashëgimia natyrore.

Rradhitja e lëndës së grumbulluar me një përkushtim hulumtuesish e gjetësish të pasionuar, e ka bërë këtë libër një arkiv  të rëndësishëm për arkeologjinë, etnologjinë, historinë, toponomastikën e mikrotoponomastikën e vedbanimeve, pa përjashtim të komuniteteve  që e popullojnë, arealin  e komunës së Bujanocit.

Secili kapitull ka përmbajtjen e vet të begatshme me elementet e komponuara mirë, rrjedhshëm dhe  tërheqës për lexuesin sepse e bartin atë nëpër fshehtësitë që i ka ruajtur vetëm nëntoka,  ngase ato që ishin mbi tokë i gllabëroi ana e zezë e historisë, të cilën e përbëjnë uzuratorët, akulturorët, përktëshisht ata që krijojnë antivlera mbi vlera.

Lënda e studimit të nënkapitujve është përmbajtësore  profesionale dhe e profilizuar. Aty gjejmë vlera të ngërthyera me realitetin historik, kuptimi logjik dhe përmbledhës i së cilave  shkrihet me titullin e kapitullit.

Kapitujt me përmbajtjen e tyre mund të jenë minilibra në një libër përmbledhës siç është “Bujanoci burim i trashëgimisë kulturore dhe natyrore”.

Të gjithë këta kapituj rradhisin gjetjet e shumëta arkeologjike, parahistorike, historike, antike, të mesjetës e deri në kohën tonë, duke përfshirë objekte, lokalitete, kështjella, ura,  tempuj fetarë e të tjerë. Këtu gjejmë një histori të shkurtër të ngritjes së xhamive, teqeve, tyrbeve varresave, të kishave, të manastireve, nekropoleve, pastaj vatra, oda, hambare, koshe, alemive të ndryshme të artizanateve siç është veku, bunaret, çezmet, objekte të ndryshme shoqërore siç është  hani ( bujtinat), mullinjtë, urat, etj

Duke u bazuar në shumëllojshmërinë e gjetjeve dhe rëndësinë e tyre historike, ky vështrim është vetëm një çasje për një punë serioze që ka bërë ky ekip hulumtues  në krye me kryetarin e tyre Xhemaledin Salihun, për angazhimim me përqëndrim që të grumbullohen gjetje, eksponate, mjete të ndryshme, objekte banimi e kulti të cilat i ka ruajt nëntoka jonë në të cilën kanë jetuar të lavdishmit,  banorët e pare të Ballkanit – ilirët.

Anëtarët e ekipit eksplorues (si pasardhës të ilirëve), kanë bërë punë të madhe, pa i mbështetur pushteti aktual, por të prirë nga vullneti dhe entuziazmi, kanë filluar një punë e cila nuk ka përfundim, një punë e cila do të hulumtohet në vazhdimësi edhe nga gjenerata e re e cila e ka obligim dhe kërkesë nga gjaku i të parëve tanë që nga fillimi.

 

Recension: Dr.Veton Zejnullahi

Bujanoci-Trashëgimia Kulturore dhe Natyrore

Shqiptarët e tre komunave në Jug të Serbisë Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc që këtë rajon e e kanë emërtuar si Luginë e Preshevës apo Kosovë Lindore si pjesë e pandashme e trungut shqiptar edhe pse të copëtuar në disa shtete por autokton në trojet e veta që nga të parët e tyre ilirët  kanë dhënë kontribut të madh në shërbim të çështjes kombëtare.

Edhe pse e kaluara jonë shumë herë është kontestuar nga armiqët tanë duke tentuar që ta përvetësojnë historinë tonë dhe figurat më markante kombëtare, puna shkencore dhe hulumtuese mbetet arma më e fortë në dorën e intelektualëve dhe hulumtuesve shqiptar, armë të cilën autori Xhemaledin Salihu dhe bashkëpunëtorët e tij e kanë përdorur në mënyrën më të mirë të mundshme. Libri për Bujanocin dhe trashëgiminë e tij kulturore dhe natyrore  i autorit Xhemaledin Salihu e shkruar jo në tavolinën e kabinetit të tij të punës por në ecje e sipër bashk me bashkëpunëtorët e tij anekënd fshatravë të Bujanocit dhe në brendësinë e qytetit hedh dritë për shumë objekte nga trashëgimia e jonë historike dhe kombëtare.

Ky libër përveç të tjerave i shërbën qytetarëve por edhe intelektualëve për të dëshmuar prezencën shqiptare në këto troje shumë e shumë shekuj më parë para se të vinin popuj të ndryshëm të cilët u vendosën në rajonin tonë dhe që padrejtësisht kërkojnë të përvetësojnë këto vlera të çmueshme.

Duke i vënë në spikamë të gjitha objektet me vlerë të pakontestueshme kulturore dhe natyrore të rrethit të Bujanocit autori edhe me fotografi na dëshmon për këto vlera dhe në një mënyrë duke i bërë të prekshme për të gjithë lexuesit e librit si dhe për të dëshmuar vazhdimësinë e jetës së shqiptarëve që nga kohërat e lashta parahistorike e pastaj nëpër të gjitha etapat historike e deri në ditët e sotme.

Rëndësinë e këtij libri e shton edhe më tepër rëndësia aktuale që e ka qyteti i Bujanocit i cili gjendet në zemër të Luginës së Preshevës sidomos për pozitën e tij gjeostrategjike sepse Bujanoci është nyja e Koridorit strategjik E10 nëpër të cilin kalojnë rrugët automobilistike dhe ato hekurudhore duke bërë të mundshme lidhjen mes disa shteteve të rajonit.

Shpresoj që ky libër i cili siç thuhet lexohet me një frymë duhet të përkthehet në gjuhët kryesore botërore me qëllimin e vetëm që edhe intelektualët e vendeve të ndryshme si dhe opinioni i tyre publik të njoftohen më për së afërmi me vlerat kulturore dhe natyrore të Bujanocit

Në fund përveç përgëzimit për punën e autorit dhe ekipit të tij hulumtues në teren mbetemi me shpresë se ata nuk do të ndalen me kaq por të vazhdojnë me hulumtimet e tyre për pjesët tjera të Luginës së Preshevës.

 

Recension: Dr.Ardian Emini.

Bujanoci-Trashëgimia Kulturore dhe Natyrore 

Në librin “Bujanoci – Trashëgimia Kulturore dhe Natyrore” i autorit Xhemaledin Salihu, autori merr përsipër që të trajtojë dhe të shtjellojë trashëgiminë kulturore dhe natyrore të Bujanocit, fushë e pa eksploruar dhe e pa njohur deri më tani  për lexuesin shqiptarë në përgjithësi. Autori në këtë libër ka si objekt trajtimin e trashëgimisë së trevës së Bujanovcit, e cila me dashje ose jo ka mbetur e pa trajtuar dhe në periferi të historisë sonë etnike. Për autorin rëndësia e librit paraqet  disa dimensione studimore, e para çështja e trashëgimisë kulturore të komunitetit etnik shqiptarë të kësaj treve, kjo problematikë nuk trajtohet vetëm në një periudhë por ajo shtrihet në periudha të ndryshme historike. Këtu autori i kushton një rëndësi të madhe parimit kronologjik të shfaqjes-paraqitjes së trashëgimisë. Në këtë formë vërehet se libri ka një sintezë mjaft interesante që fillon me lokalitetet parahistorike, vazhdon me ato antike, mesjetës e më vonë… Dhe së dyti autori në këtë libër trajton edhe të mirat natyrore/ trashëgiminë natyrore të kësaj treve.

Autori në përmbajtjen e këtij libri  transmeton vlera të shkrimit/ përshkrimit dhe ruajtjes e kultivimit të trashëgimisë kulturore nga shqiptarët e kësaj treve. andaj këtë libër ( studim) duhet konsideruar si një vlerë të shtuar në studimet mbi trashëgiminë kulturore e natyrore e që e cila nuk duhet lihet anash edhe nga ato historike.

Rëndësia e këtij libri duhet parë edhe në një drejtim tjetër si në atë historik argumentues, me ç’rast autori përmes paraqitjes së trashëgimisë kulturore dhe natyrore argumenton autenticitetin dhe kontunitetin e jetesës shqiptare në këtë trevë në këtë formë trashëgiminë e paraqet identike me atë të trevave shqiptare për rreth në këtë formë dëshmohet lidhja e pa ndërprerë e kësaj treve me trungun shqiptarë.

Për trajtimin e këtyre çështjeve autori është dashur të hulumtojë e trajtojë një shumësi të referencave burimore dhe në këtë formë edhe të dokumenteve arkivore. Për nga metodologjia, organizimi strukturor dhe problemet të cilat i nxjerr dhe i trajton libri përmbushë në tërësi kriterin e një libri studimor.

Libri në këtë drejtim përmban një kronologji strikte  historike duke gërshetuar rrjedhën kulturore e natyrore me etapat/periudhat historike dhe atë etnike shqiptare. Në këtë formë është për tu theksuar se sythet në këtë libër kanë një rrjedh logjike të cilat në mënyrë harmonike tërthurojnë trashëgiminë me periudhat historike. Me fakte të shumta autori përcjell tek lexuesi trashëgiminë e Bujanocit e cila deri më sot ishte e pa trajtuar nga studiuesit shqiptarë e në këtë formë edhe e pa ndjerë nga ana e tyre.

Në fund autori me punën e tij ka arritur që këtë libër ta shndërroj në një libër studimor e cila do ti hyjë në punë lexuesit dhe studiuesve të ardhshëm të kësaj fushe, fundament i së cilës do të jetë trajtimi i trashëgimisë kulturore e natyrore të Bujanocit…