Home Aktuale Bejtullahu: Muslimanët të jenë më të bashkuar në festat fetare

Bejtullahu: Muslimanët të jenë më të bashkuar në festat fetare

38
0
SHARE

Bisedë më shkas
Bejtulla Bejtullahu, kryetar i KBI në Bujanoc

Zotëri Bejtullahu, institucioni, të cilin e përfaqësoni, ka shënuar një varg aktivitetesh me rëndësi jo vetëm për jetën fetare në Bujanoc. Ku qëndron suksesi i këtyre veprimtarive?
– Po. Këshilli i Bashkësisë Islame në Bujanoc, vepron në kuadër të Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medevegjë. Në mars të këtij viti e mora besimin e kolegëve për ta udhëhequr KBI-së, ndonëse në moshë isha i ri për të marrë një pozitë kaq të lartë, por nuk e kisha problem meqë disponoja një bagazh nga e kaluara ime si në aspektin fetar, po ashtu edhe në atë kombëtar. Në këtë drejtim, më ndihmonte edhe përvoja ime në shkollë, si profesor i mësimit fetar. Duke i marrë parasysh këto përvoja, pranova përgjegjësinë e drejtimit të KBI-së, aktivitetet e së cilës, treguan një kulturë të lartë të organizimit të manifestimeve në Shtëpinë e Kulturës. Kisha veçuar aktivitetet e sektorit të femrës, pastaj aktivitet gjatë muajit të shenjtë të Ramazani, si dhe ligjëratat e përgatitura me profesorët e mësimit fetarë në RTV “Bujanoci”. Të gjitha këto aktivitete kemi arritur falë punës dhe përkrahjes së anëtarëve të KBI-së, pasi që gëzoj një përkrahje të madhe po thuaj nga të gjithë hoxhallarët e rinj e sidomos nga profesorët e mësimit fetarë.

Si kanë shkuar punët rreth organizimit të Haxhit?
– Institucioni ynë fetar, ka arritur edhe këtë vit, me sukses ta organizoj “Haxhin 2014”, përkundër pengesave të paraqitura nga ana e BIK-ut nga Kosova dhe Këshillave të saj jo legal në Bujanoc e Preshevë, pa përjashtuar pengesat as nga mexhliset e Novi Pazarit. Mirëpo, falë Zotit dhe angazhimit tonë maksimum, kemi arritur me sukses ta organizojmë Haxhin, pa ndonjë ndërhyrje nga qarqe të caktuara.

Cili është komenti Juaj lidhur me procesin mësimor fetar nëpër shkolla. Sa jeni të kënaqur me kuadrin arsimor?
– Si kryetar i komisionit pranë BIPMB-së, për pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave për profesorët e mësimit fetar në shkolla, jemi munduar që si prioritet numër një t’i kemi ata që janë të pa punësuar, duke u nis nga konkursi dhe ndarja e orëve. Procesi arsimor ka rrjedh shumë mirë me përjashtim te disa mosmarrëveshje të vogla në disa shkolla. Unë në cilësinë e kryetarit të komisionit i falënderoj të gjithë ata profesorë, që ju kanë përgjigjur konkursit dhe kanë qenë të kënaqur me ndarjen e orëve dhe s’më mbetet tjetër vetëm t’u uroj një punë të mbarë e të suksesshme për vitin shkollor 2014-‘15.
Jemi në prag të festës së Kurban Bajramit, që në popull njihet si Bjrami i Madh. Si po shkojnë përgatitjet?
– Jemi në prag të Kurban Bajramit, të cilën festë e bëjnë madhështore kryerja e Haxhit dhe therrja e kurbaneve. Lidhur me Haxhin e cekëm më lartë se punët kanë shkuar për mrekulli, po ashtu edhe sa i përket therjes së kurbaneve, Bashkësia Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura. Vazhdimisht jemi në kontakt me Bashkësinë Islame Shqiptare në Zvicër e cila ka shfaqur interesim për therjen e kurbaneve në vendlindje. Gjithashtu, interesime kemi edhe nga Austria dhe shtete të tjera. Qëllimi i BIPMB është që prerja dhe shpërndarja e mishit të Kurbanit të bëhet brena këtyre tri komunave, pasi që kjo popullatë ka nevojë më shumë se kurrë për ndihma. BIPMB-ja rregullisht është e interesuar për ndihmë familjeve me asistencë sociale, pastaj familjet e dëshmorëve si dhe familjet e disa ushtarëve që janë në gjendje të mjerueshme ekonomike.
Në fund, si zakonisht, cili është mesazhi Juaj?
– Për fund, shfrytëzoj rastin në emër të BIPMB-së t’i urojë festën e Kurban Bajramit, gjithë besimtarët e të gjitha trevave shqiptare, gjithashtu uroj që haxhinjtë, të cilët janë në Haxh, të kryejnë haxhin shëndosh e mirë si dhe gjithë atyre që kanë vendos të therin kurbane Allahu ua pranoftë dhe i shpërbleftë me xhenet, si dhe në emrin tim i kërkoj gjithë besimtarëve myslimanë që të jenë më të bashkuar dhe më solidarë, duke shtrirë dorën e vëllazërimit njeri – tjetrit me eselamu aljekum!/jehonapress/
(Bisedën e plotë mund ta ndiqni në numri e ri të revistës “Jehona” e cila së shpejti del nga shtypi).