Home OPIONIONE Atdhe tjetër s’kemi

Atdhe tjetër s’kemi

123
0
SHARE
​Nga Imer Mushkolaj – Kosova nuk është shtet i përkohshëm, nuk e kemi marrë me qira që ta kthejmë sërish. Kosova është e jona, jo e pushtetarëve.
Pavarësisht si e trajtojnë dhe sa e përçmojnë, e injorojnë, e mohojnë, diçka duhet kuptuar: tjetër atdhe nuk kemi. Rrëfimet tjera janë përralla që tingëllojnë bukur Konfuzë dhe të habitur shfaqeshin qytetarët e Kosovës të martën, në përvjetorin e shtatë të shpalljes së pavarësisë. Ata po silleshin si pa kokë rrugëve të kryeqytetit, të mungesë të ndonjë organizimi të dinjitetshëm nga qeverisja qendrore ose lokale, për të shënuar këtë ditë të rëndësishme, më të rëndësishmen për Kosovën dhe kosovarët
Për shkak se, siç u tha, shteti është duke u përballur me sfida të mëdha, Qeveria qendrore e ka ndarë mendjen që zyrtarisht të mos na ofrojë festë tamam në tre vjetët e ardhshëm. Zëdhënësi qeveritar tha se deri në vitin 2018 duhet të festohet me modesti, ndërkaq atëherë, në vitin jubilar, do të organziohej ceremoni festive madhështore. Ndërkaq, zyrtarë të qeverisë lokale u arsyetuan se nuk kanë para për festë dhe se situata në të cilën gjendet vendi nuk linte shumë arsye për të festuar.

Arsyetime banale dhe të papranueshme. Sepse, mjete financiare dhe arsye për të shënuar festa edhe më pak të rëndësishme se 17 Shkurti janë gjetur vazhdimisht. Ta zëmë, janë gjetur para pak muajsh për të shënuar 28 Nëntorin, për ta mbushur kryeqytetin me flamuj kombëtarë, e nuk paska para për të shënuar Ditën e Pavarësisë të shtetit të Kosovës. Të shtetit që është sublimim i angazhimit e sakrificës së brezave të tërë.

Askush nuk ua jep të drejtën këtyre njerëzve që të vendosin se kur dhe si duhet festuar qytetarët. Institucioneve qendrore e lokale iu takon që qytetarëve t’u ofrojnë mundësi për shënuar këtë ditë, pavarësisht problemeve dhe sfidave me të cilat shteti dhe qytetarët përballen çdo ditë.

Është e papranushme që ata të arsyetohen me mugesë parash, ndërkohë që nuk kursejnë në pagat dhe privilegjet e veta të majme, nuk kursejnë në shpenzime marramendëse për udhëtime, dreka e darka, telefona e karburant. Arsyetimeve të tilla nuk iu beson askush.

Ka edhe nga ata që shfryëzojnë të mirat që shteti ua ofron, por nuk e duan, nuk e pranojnë këtë shtet. I duan pagat e privilegjet, por nuk ia duan simbolet. Kjo është hipokrizi shkuar hipokrizie. Sepse, shteti duhet dhe respektohet ashtu siç është dhe nevojitet që të gjithë, qeveritarë e qytetarë, të angazhohen që ta forcojnë, e jo ta injorojnë, ta mohojnë atë.

* * *

E dimë, pas shtatë vjetësh pavarësi Kosova nuk është ajo që kemi menduar se do të jetë. E stërkequr, e keqqeverisur, e keqpërdorur ajo nuk është vendi i ëndërruar nga qytetarët e saj. Por, e tillë çfarë është, është shteti ynë, atdheu ynë.

E dimë, pushtetarë të të gjitha llojeve e partive kanë marrë nga shteti çfarë kanë dashur dhe i kanë dhënë fare pak, për të mos thënë asgjë. Por shteti iu takon qytetarëve, e jo pushtetarëve.

Ndonjëri nga ata edhe mund të thotë se ky shtet është provizor, është veç një zgjidhje kalimtare drejt një shteti më të madh, të përbashkët me Shqipërinë. Ndonëse mund të bëhen në emër të nacionalizmit, patriotizimit e një grushti votash më shumë, deklaratat e tilla janë dashakëqija e të shpikura. Të shpifura.

Kosova është një projekt i ri, ende i pakonsoliduar sa e si duhet, por që duhet forcuar, ruajtur e respektuar.

Kosova është një shtet që ende nuk iu jep shumë qytetarëve të vet, por nuk duhet hequr dorë nga ndërtimi dhe forcimi i tij. Varet nga zgjedhja dhe vullneti ynë se kush do të vihet në krye të shtetit dhe si do të qeverisë.

Kosova është e të gjithë qytetarëve, jo veç e politikanëve. Të mohosh, të refuzosh shtetin tënd pa e bërë më të voglën përpjekje ta ndryshosh atë për të mirë, është e pafalshme. Siç është e pafalshme të lejosh që me vite të tëra ata që e udhëheqin shtetit ta keqqeverisin, vjedhin e plaçkitin atë.

E ne tjetër atdhe nuk kemi.

* * *

“Shumë shpejt na lëshoi entuziazmi i shtetit dhe pavarësisë, thu ti që Kosovën e kena marrë me qira e duhemi me kthy pas naj viti”, shkruante një ndër miqtë e mi në Facebook, duke shprehur mllefin për mënyrën e festimit të 17 Shkurtit.

E vërtetë – Kosovën nuk e kemi marrë me qira, por është shteti ynë i ëndërruar me dekada. Andaj, edhe në këtë kohë të depresionit të madh, dëshpërimit për mungesë perspektive, fajet nuk i ka shteti, por pushtetet që e kanë shaluar si kanë dashur vit pas viti, duke e kthyer në një vend pa shpresë. Deshi a nuk deshi dikush, i mirë apo i keq, ky është atdheu ynë. Mund ta shajmë e mallkojmë, ta duam a ta urrejmë, por tjetër atdhe nuk kemi. Rrëfimet tjera janë përralla që tingëllojnë bukur.

Andaj duhet bërë çmos që ta ruajmë e respektojmë, ta ndërtojmë e forcojmë, e të mos e konsiderojmë shtet të përkohshëm, shtet të huaj – shtet me qira.