Home OPIONIONE Arsimit shqip po i ligjërohet maqedonisht!

Arsimit shqip po i ligjërohet maqedonisht!

187
0
SHARE

 

Nga Etem Xheladini

 

Ajo çka mban gjallë vetëdijen e një kombi, padyshim që është gjuha e tij. Një komb i paarsimuar në gjuhën e tij, është i destinuar të asimilohet! Nga ky këndvështrim duhet të shohim edhe problemet e fundit të shfaqura në arsimin fillor e të mesëm shqip gjithandej, e sidomos ato në Shkupin shqiptar, aty ku marrëzia s’ka fund.

Por tani është koha e fundit të marrim guximin e të reagojmë për këto probleme që po na paraqiten, duke rrënuar edhe pak ato të arritura në arsimin shqip, e në veçanti në kohëve të fundit në metropolin shqiptar, Shkupin e Hasan Prishtinës, duke hapur paralele me nxënës krejt shqiptarë, të cilëve u ligjërohet maqedonisht (rasti i SH.M. “Arseni Jonkov” e shumë shkolla tjera), vetëm e vetëm profesorët maqedonas të arsyetojnë vendet e tyre të punës. Kjo është jashtë çdo norme ligjore në vendet normale, dhe zor se mund të hasen shembuj të tillë as edhe në shtetet afrikane.

Për më tepër, vlen të përmendim edhe mbylljen e paraleleve shqipe në shkollat fillore të Manastirit, në rrethinën e Velesit e gjetiu. Nëse i shtojmë edhe padrejtësitë që bëhen në investimet në shkollat shqipe, si në infrastrukturë e objektet hapësinore, që mungojnë ndër vite me të madhe, trishtimi rritet edhe më tepër.

Ne aktualisht nuk kemi gati se fare shkolla me kabinete, si në ato fillore e të mesme. Poashtu duhet të shtojmë edhe padrejtësitë që bëhen në emërimin e shkollave ku shumicë janë nxënësit shqiptarë, e strukturat udhëheqëse të drejtorive dhe shërbimeve pedagogjike-psikologjike, të tëra me kuadro maqedonase, pos ndonjë përgjegjësi shqiptar aty këtu, pa kurrfarë kompetencash, tregon tragjedinë që po i ndodhë në heshtje arsimit shqip në Maqedoni, e për këto probleme nuk janë të informuar fare kompetentët e arsimit, të cilët pretendojnë se udhëheqin me Ministrinë e Arsimit.

Risi që duhet theksuar për veprimet e partive politike shqiptare në Maqedoni, në kohën e fundit janë regjistrimi i  nxënësve, ku hartojnë lista dhe ua dorëzojnë drejtorëve të shkollave, duke kërkuar prej tyre që në shkolla elitare të regjistrohen pa kritere edhe nxënësit të cilët nuk i plotësojnë kriteret e regjistrimit, pra nxënësit të cilët do të duhej të orientoheshin nëpër shkolla profesionale, kurse fare nuk çajnë kokën për nxënësit e mirë dhe atyre që nuk kanë lidhje të forta partiake. Këtë dukuri e shfrytëzojnë armiqtë  e përbetuar të arsimit shqip, pala maqedonase dhe i regjistron nxënësit shqiptar në paralele të pastra me nxënës shqiptar, por me mësim në gjuhën maqedonase, kurse paralelet e pakta elitë, që  hapë, i ngarkojnë me mbi katërdhjetë e pesëdhjetë nxënës.

Zhvillimi i arsimit varet nga vetë politikat e shtetit. Dhe, ky paraqet problemin kryesor, meqë partitë politike shqiptare në Maqedoni, në rastin konkret, vetëm se i zbatojnë politikat joprofesionale të VMRO-së. Duke qenë se emërimet bëhen në mënyrë sharlataneske, askush nga ata të partisë nuk e përcjell punën e “kuadrit” të emëruar nëpër institucionet e arsimit, arritjet dhe dështimet e tyre. Për më tepër, partitë edhe nuk dinë se çfarë rezultatesh duhet të arrihen dhe mund të arrihen në lëmenj të caktuar të arsimit, pasi në kuadër të partisë nuk funksionojnë komisionet për përcjelljen e të arriturave në arsim.

Për mua, ideja e themelimit të Akademisë së Mësuesve, si dhe ajo e licencimit të mësimdhënësve për të ushtruar këtë profesion, është e gabuar dhe si e tillë e destinuar të dështojë. Kjo tregon se sa të papërgatitur janë për të bërë ndryshime rrënjësore, apo reforma të njëmendta. Është thjeshtë një projekt tjetër pa koncept i MASH-it e që vjen në vazhdën e dështimeve të njëpasnjëshme që kanë ndodhur në sferën e arsimit, e kuptohet se kjo do të dëmton ne veçanti arsimin shqip, dhe kuadrot e saj edhe ato të pakta që janë, unë vlerësoj se është “nonsens” mbivendosja e institucioneve. Intervenimet duhet të ndodhin aty ku vlerësohet se ka defekte. Pra, që të përgatisin mësues kualitativ, duhet të reformojnë  fakultetet përkatëse dhe të krijojnë kushte pune në shkollat fillore e të mesme. Le ta rrisin peshën e Fakulteteve Pedagogjike me qëllim që mësuesit e ardhshëm ta mësojnë mirë profesionin e mësuesit në fakultet. Nuk ka nevojë që kjo të shkojë shkollë pas shkolle.

Fati i arsimit, kudo varet nga politika e shtetit mbi arsimin, d.m.th. nga politika arsimore e shtetit maqedonas, në rastin tonë konket. Nisur nga kjo ne shqiptarët nuk kemi çka të presim, duhet vet ti përvjelim mangët, e të kërkojmë atë që na takon, nga se ne për atë që na takon ndajmë mjetet tona duke paguar tatime të majme këtij shteti të brishtë. Përfaqësuesit tanë politik guximshëm duhet të reagojnë pushtetarëve tanë që na prezantojnë në pushtet e Qeverinë e Maqedonisë (siç ishte rasti i fundit me kryetarin e komunës së Likovës, nëse nuk është marketing parazgjedhor), e nëse e donë nevoja të bëhemi edhe të padëgjueshëm!

*Ish-kryetar i Shoqatës së Arsimtarëve Shqiptarë “N.Frashëri” Kumanovë-Likovë