Home Aktuale Arrihet marrëveshja për drejtësinë

Arrihet marrëveshja për drejtësinë

150
0
SHARE
Rifillimi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka rezultuar me arritjen e marrëveshjes për drejtësinë.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në orën 02:00 të mëngjesit të së martës, kanë vënë firmat e tyre në këtë marrëveshje, bashkë me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

“Sapo nënshkruam marrëveshjen për drejtësinë: rezultat i shkëlqyeshëm në rifillimin e dialogut Beograd-Prishtinë. Faleminderit të dyja palëve”, ka shkruar Mogherini në llogarinë e saj në “Twitter”, pas takimit që ka zgjatur rreth katër orë.
Mogherini ka thënë se dy kryeministrat kanë finalizuar marrëveshjen për drejtësinë dhe gjyqësorin në Kosovë dhe në këtë mënyrë kanë mbyllur kapitullin kritik të implementimit të marrëveshjes së Brukselit që do ta përmirësojë në mënyrë substanciale jetën e njerëzve në terren. “I përgëzoj Isa Mustafën dhe Aleksandër Vuçiqin për këtë arritje”, ka thënë ajo.
Mogherini ka deklaruar se Vuçiq dhe Mustafa kanë pasur një diskutim gjithëpërfshirës për të gjitha temat e dialogut, ndërsa kanë bërë një vlerësim edhe për punën e mbetur.
Shefja e politikës së Jashtme ka njoftuar se grupet punuese të të dyja palëve do të mblidhen gjatë ditëve të ardhshme për të punuar rreth implementimit.
Mogherini, po ashtu, ka theksuar në deklaratën e saj se dy kryeministrat janë zotuar që do ta çojnë përpara çështjen e normalizimit të raporteve, ndërsa janë dakorduar që do të merren edhe me çështjen e emigrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës. “Kryeministri Mustafa dhe kryeministri Vuçiq, janë dakorduar të punojnë së bashku për të trajtuar shqetësimet rajonale, midis të cilave edhe çështjen akute të migrimit të paligjshëm nga Kosova”, ka shtuar Mogherini.
Palët kanë konfirmuar se marrëveshja ka të bëj me funksionimin e Gjykatës në veri të Mitrovicës, ku gjysma e prokurorëve e gjykatësve do të jenë serbë e gjysma tjetër shqiptarë.

Pas takimit, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se marrëveshja mundëson funksionimin e sistemit unik të drejtësisë në Kosovë.
I pyetur nëse janë diskutuar tema të tjera në dialog, Mustafa ka thënë se nuk ka pasur kohë për të tilla dhe se nuk do të hapen tema të reja, pa u shuar institucionet paralele në veri, me theks të veçantë Mbrojtja Civile.
Kryeministri serbë Aleksandër Vuçiq, ndërkaq, është shprehur se marrëveshja është në interes të serbëve të Kosovës.