Home SPORT Argjentina, Messi tërhiqet nga kombëtarja

Argjentina, Messi tërhiqet nga kombëtarja

146
0
SHARE

Vështirë ta keni parë ndonjëherë kaq të prekur, në lot pas humbjes së asaj penalltie dhe dështimit të Argjentinës në finalen e saj të tretë rradhazi, Lionel Messi,  ylli i futbollit botëror pas disfatës ndaj Kilit, bëri të ditur lajmin sensacional se i jep lamtumirën kombëtares në moshën 29-vjecare.

“Po mendoja në dhomat e zhveshjes, kaq ishte. Nuk do të luaj më me kombëtaren, kjo ishte finalja ime e katërt, nuk bën për mua. Doja më shumë se cdo gjë tjetër që të fitoja, por nuk ishte e thënë. Kaq ishte”.

La Seleccion nuk fiton një trofe prej 23 vitesh dhe Messi, goleadori më i mirë në historinë e Argjentinës me 55 finalizime, kapiten dhe yll absolut i kësaj skuadre lë kombëtaren pas 113 ndeshjeve të luajtura dhe 11 vjetësh me fanellën “Albiceleste”. Në katër finale të luajtura me përfaqësuesen, në Kupën e Amerikës 2007, 2015 dhe 2016 dhe në atë të Botërorit 2014 Messi nuk ja ka dalë të lërë shenjë duke mos shënuar dot asnjë gol. Lionel Messi, pesë herë fitues i Topit të Artë, rekordmen i golave me Barcelonën dhe në La Liga, ka shënuar 453 herë me fanellën blaugrana dhe 312 gola në kampionatin spanjoll, koleksionist titujsh, 8 trofe të La Ligas, 4 Champions League dhe 28 trofe në total me Barcelonën, nuk do të veshë më fanellën “Albiceleste”. Me hashtagun “#NotevayasLeo”, (Mos ik Leo) të apasionuarit e futbollit janë duke i kërkuar në rrjetet sociale që të vazhdojë të luajë me Kombëtaren. Lajmi për largimin e tij nga përfaqësuesja po përjetohet si një dramë e vërtetë në Argjentinë.