Home OPIONIONE Ana e panjohur e provokimit serb

Ana e panjohur e provokimit serb

76
0
SHARE

Nga Ilir Kanina

Histeri e klithma mesjetare, ulërima kafshërore dhe mallkime plot patos kriminal, goditje dhe dhunë, kjo ishte pamja që ofruan serbët në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri. Një organizim i programuar deri me detaje, nga një shtet-karkasë e shovinizmit sllav, i cili, prej disa dekadash, prodhon luftë, vrasje dhe fatkeqësi për popujt fqinj dhe rajonin e Ballkanit. Më e turpshmja është sjellja e drejtuesve kryesorë të tij, Presidentit, Kryeministrit, ministrit të Jashtëm dhe të Brendshëm, të cilët sa bëjnë Drejtuesin e Shtetit, bënë edhe kryesuesin e federatës së futbollit dhe nacionalistin, u sollën njësoj si tifozi dhe dirigjuan orkestrën e dhunës, shtetarin e “prekur e të indinjuar” nga sjellja e ekipit mik, por edhe spikerin, që nuk i skuqet faqja nga gënjeshtra.

Prej historisë, programi dhe veprimi shtetëror serb, mbështetet në doktrinë e programe. E lidhur me sa provuam në ndeshjen e Beogradit standardi i Dobrica Çosiçit – “Gënjejmë për interesa shtetërore të Serbisë” (Dobrice Ćosića: “Laž je srpski državni interes”), është aktual, jetësor dhe në zbatim. Duke u ndalur po këtu, fabrika me teknologji mesjetare nacionaliste, vijon të prodhojë të njëjtin produkt, të ndërtojë të njëjtët politikanë dhe sjellje të institucioneve.

Dobrica Çosiç vijon: “Ne gënjejmë në mënyrë që të mashtrojmë veten, ne gënjejmë për shkak të lirisë; një gënjeshtër është një formë e patriotizmit serb dhe dëshmi e inteligjencës sonë të lindur. Në këtë vend, çdo gënjeshtër në fund bëhet e vërteta. Ne gënjejmë në mënyrë kreative, me imagjinatë krijuese“ (Dobrica Ćosić: Mi lažemo da bi smo obmanuli sebe, ….. . Lažemo zbog slobode. Laž je vid srpskog patriotizma i potvrda naše urođene inteligencije. U ovoj zemlji svaka laž na kraju postaje istina. Lažemo stvaralački, maštovito, inventivno”).

Kjo është e vërteta e propagandës serbe, e pranojnë vetë. Është përgjegjësia e tyre. Natyrshëm që përgjegjësia shkon edhe tek UEFA. Kjo nuk lidhet me shortin, sepse “u gënjye” nga europianizmi i serbëve, por nuk mund të falet që, në komunikimin e dy federatave për praninë e tifozëve të mos jepte asnjë qëndrim. E në vijim të këtij dhunimi të vetë parimeve europiane për liritë e të drejtat dhe lëvizjen e lirë të shtetasve, UEFA, të mos kishte përfaqësuesin e saj, kur u prit Delegacioni Shqiptar në aeroportin e Beogradit. Si është e mundur që, pas asaj shkelje skandaloze të parimeve mbi të cilat është ndërtuar vetë BE, delegacioni shqiptar, Përfaqësuesja dhe Ambasadori i RSh, u ndaluan, u kontrolluan dhe u keqtrajtuan? Si nuk kishte një sy të saj, kur mjedisi i aeroportit dhe transporti shoqërohej me blinda e policë me maska e kallashnikovë. Ku ishin duke shkuar, o qeveritarë europianë, Ekipi Shqiptar i Futbollit, në “Guantanamo”?

Kjo pra, UEFA, nuk kishte dhe nuk ka interes të ndjekë, të analizojë dhe të marrë masa për ndeshjen, sepse ajo dështoi që ditën e parë të zbatimit të marrëveshjes me BE, për luftën kundër racizmit në stadiume. Nuk di apo nuk do, është punë e saj, e vërteta është se vetë marrëveshja erdhi prej ngjarjeve që kanë ndodhur në stadiumet europiane, e, një prej tyre ishte edhe ajo që përjetuan futbollistët shqiptarë. Serbia ka prodhuar të tilla ndeshje me Kroacinë e me Bosnjë-Hercegovinën, me Italinë dhe Britaninë e Madhe, kjo me Shqipërinë, ishte e fundit në inventarin e bëmave të saj.

Po flamurin e NATO-s, kush e dogji, si u gjend aty? Natyrshëm që ishte i përgatitur!

Jo, Platini, besoj se, votat e Shqipërisë nuk i more për të dhënë të tilla qëndrime. Ne, e dimë që serbët “e duan Francën si nënën Rusi”, por nuk mendojmë se ju jeni në gjendje të vlerësoni popujt. Ju nuk jeni intelektual, as politikan dhe historian, ju jeni thjesht drejtues i UEFA-s, i zgjedhur aty edhe prej votave të shqiptarëve që, ju kanë vlerësuar për këmbët e arta dhe jo kokën, që po na dëshmon tani.

Sigurisht që arbitrimi i ndeshjes dëshmoi se do të ishte i mangët dhe pjesë e frymës që duhet të prodhonte marrëveshja BE-UEFA, e një dite përpara. Arbitri anglez, nga origjina dhe qëndrimi, nuk e vuri ujin në zjarr për sharjet gjatë stërvitjes para ndeshjes, as kur fishkëllimat dhe ulërimat shoqëruan Himnin Kombëtar të RSH, as kur fusha u mbush me “breshër” shishesh, çakmakësh, gozhdë, monedha, fishekzjarrë, shashka, a kur lojtarët serbë ndërhynim rëndë, etj. Ecni, luani, vetëm ta mbarojmë. Ai duhet ta kishte njoftuar publikun para fillimit të ndeshjes, të tërhiqte vëmendjen dhe ta ndërpriste menjëherë ndeshjen, sapo nuk u lejua të këndohet Himni Kombëtar i RSH. Këtu duhet të përfundonte ndeshja, sepse nuk ishte futboll, kishin planifikuar dhe po bënin politikë, UEFA, tifozët serbë dhe udhëheqësit e tyre.

Kjo ishte tabloja e politikës së sotme “proeuropiane” e Serbisë, e organizimit dhe veprimit të shtetit dhe institucioneve, të saj. Respekti fanatik i politikës së vjetër, kriza ekonomike, prishja prej integrimit europian e “rehatisë” së trafiqeve dhe ngjarjet e fundit në Europë, e gjetën lidhjen edhe me ndeshjen e futbollit. Duke mos pranuar vizitën historike të Papës dhe vlerësimin e Konferencës së Berlinit, që i dhanë shtetit shqiptar rolin që i takon në Ballkan, programi serb shfrytëzoi rastin për të kërkuar faktorizim në Europë. Pjesë e këtij skenari, është edhe “përfshirja” e vëllait të z. Rama, insistimi për të përbaltur emrin e personalitetit shqiptar që Papa “ia mbajti premtimit” dhe zonja Merkel i dha të drejtën e përfaqësimit të ballkanasve në Konferencën e Berlinit.

Pa u shuar mirë jehona e ngjarjeve të shtatorit të suksesshëm për kombin shqiptar, me organizimin e ngjarjeve në stadium, Serbia arriti të tërhiqte vëmendjen e institucioneve europiane. Po me këtë rast, gjatë vizitës së Presidentit Putin, ajo dëshironte “t’i qante Nënës” për ndihmë morale e sidomos për para. Kështu i ka ngrënë edhe miliardat e dollarëve në kohën e Titos. Ndaj, shteti serb, rendi të bënte propagandë, para, gjatë dhe pas ndeshjes. Institucionet shqiptare, duhet të mësojnë nga vlerat patriotike dhe qytetare që treguan futbollistët, gjatë gjithë këtij organizimi. Kjo sepse dëshmuan se pjesëmarrjen në Përfaqësuese, e shohin si institutin e vlerave kombëtare. Kjo mjafton. Sjellja dhe qëndrimi i tyre, duhet të pasqyrojnë karakterin paqësor të kombit tonë. Ne, shqiptarët, kemi qenë këtu. Vite e vite, shekuj e shekuj, mijëra vjet kemi kaluar në këtë vend, në truallin e paraardhësve tanë pellazgë. Këtu u lindën, u rritën dhe luftuan për mbijetesë breza të tërë shqiptarësh. Gur mbi gur, ne, ndërtuam ngrehinat për familjet tona, derdhëm djersë për të rritur të ardhmen, mësuam vazhdimisht për të mbijetuar në tallazet e jetës.

Tokën ku u lindëm e zgjodhën vetë, ne shqiptarët ishin të parët, ishim këtu prej zbrazësisë që ekzistonte në epokën e lindjes së njerëzimit, mijëra vjet përpara vitit zero kristian. Natyrshëm që me formimin, karakterin dhe qytetarinë shqiptare që ka Kryeministri Rama, vizita në Serbi do të jetë dinjitoze, sepse do t’i tregojë edhe një herë vlerat e Kombit Shqiptar. Institucionet dhe Federata Shqiptare e Futbollit, duhet të vlerësojë me shumë seriozitet reflektimin sa më me dinjitet të vlerave në përballjen e fakteve me palën serbe në Komisionin e UEFA, të bëjnë inventarin e veprimeve, sepse ndeshja ishte vetëm prologu, i nisur që prej vendimeve joligjore në epilogun e saj. FSHF të kenë kurajën qytetare shqiptare, të mbrojë të vërtetën edhe nga “europianët” me personalitet të dyzuar në standarde dhe sjellje. Ne, nuk jemi në këtë rajon për të edukuar popujt e tjerë, jemi këtu “autochthonou”, për mirëjetesën e brezave të ardhëm të shqiptarëve.