Home Nga Rajoni Abdixhiku në mbrojtje të ish – kryetarit Rugova e kundër “përfaqësuesve” të...

Abdixhiku në mbrojtje të ish – kryetarit Rugova e kundër “përfaqësuesve” të OVL-së

91
0
SHARE

Analisti ekonomik e politik dhe njëherësh profesori universitar Lumir Abdixhiku, në rrjetin social Facebook sot ka reaguar kundër përfaqësuesve të OVL-së të cilët, përmes një deklarate, kanë kundërshtuar dekorimin e ish – presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova nga kryetari i Shqipërisë Bujari Nishani.

Abdixhiku, në këtë reagim akuzon përfaqësues të OVL për “për shitjen e listave për pranim në UP; për kërcënimin me “plumb në kokë” ndaj rektorit që i ndali ata; për vjedhjen e zgjedhjeve e votimet 30 herë rresht; për thirrjet publike për linçim të gazetarëve e mendimtarëve të lirë” dhe shton se Ibrahim Rugova “është bashkëmeritor në përjetësi për lirinë e vendit.”

Abdixhiku ka shkruar në Facebook:

“Pa tendencë për t’bërë avokatin e dikujt që sinqerisht nuk ka nevojë për mbrojtjen time, përfaqësuesve të OVL-së, që sot si inatgjorë e të gjorë paskan ngritur notë proteste ndaj dekorimit të Ibrahim Rugovës nga Presidenca e Shqipërisë, duhet bërë qartë se Rugova nuk ka qenë asnjëherë “Njeri i Velanisë”, siç provojnë këta të mjerë ta shpërfaqin mjerisht. Përtej pikëpamjeve të ngushta provincialo-partiake që mund t’i ketë secili (i tij e kundër tij), ai megjithatë ka qenë njeri i Kosovës; lider i një lëvizje paqësore të një populli të tanë, partner kredibil i secilës shtëpi botërore – e thënë nga vet ta; fitues i të gjitha zgjedhjeve demokratike të pasluftës, president i parë i Kosovës, fitues i çmimit Saharov nga Parlamenti Evropian, e i dekoruar me Urdhërin e Flamurit Kombëtar – bashkëmeritor në përjetësi për lirinë e vendit!

Kundërshtarët e sotshëm të tij, këta përfaqësues të mjerë ndërkaq, para se të mbarojnë së njollosuri gjithçka që kanë përpara – përfshirë dhe emrin që mbajnë – duhet të përgjigjen fillimisht për shitjen e listave për pranim në UP; për kërcënimin me “plumb në kokë” ndaj rektorit që i ndali ata; për vjedhjen e zgjedhjeve e votimet 30 herë rresht; për thirrjet publike për linçim të gazetarëve e mendimtarëve të lirë; për mbrojtjen e kriminelëve të dënuar në vend, edhe Xhabirin madje; për shërbëtorllëkun ndaj parapolitikës e zaptimit të Republikës.

Kjo mendësi ndërsa, që provon të përdhosë edhe ato pak figura nacionale që i kemi e që kanë bërë nam botëror, nuk ka vend në vitin 2015. Është e shkretë, është e mjerë, është e pavlerë. Veteranët njëmend duhet të distancohen e largohen nga një kryesi si kjo e OVL-së, që ultë dhe shumë ultë po regreson gjithandej”.