Home Aktuale AAK i mbështet dhe do t’iu bashkohet protestave

AAK i mbështet dhe do t’iu bashkohet protestave

35
0
SHARE

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e sheh me shqetësim të thellë gjendjen e përgjithshme në Kosovë. Sipas tyre, tanimë është evidente se pushteti i instaluar nuk e ka për qëllim rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillimin e vendit, por akomodimin e aparatqikëve partiak dhe zaptimin e mëtutjeshëm të shtetit.

AAK thekson se ky pushtet iu ka premtuar qytetarëve rritje të pagave prej 25 deri në 43 për qind vetëm sa për t’i marrë votat e tyre, ndërsa vetëm dy ditë pas instalimit në pushtet e ka rritur numrin e ministrive dhe të të emëruarve politik.

“Kjo qeveri nuk gjen mjete për rritje të pagave, por pa problem gjen mjete për rritjen e shpenzimeve qeveritare. Ky pushtet i fyen qytetarët e vet pa pikë respekti dhe në vend se të merret me ndryshimin e disponimit të qytetarëve dhe zgjidhjen e problemeve të tyre provon në mënyrë të padinjitetshme ta relativizojë secilin problem”, thuhet në komunikatë.

Aleanca thekson se ky pushtet ende pa e nisur punën e ka filluar ndarjen partiake të pozitave nëpër borde të institucioneve të pavarura, prapë për akomodime partiake e jo në interes të qytetarëve. Të dy partitë në pushtet po bëjnë plane për zaptimin e plotë të shtetit e jo për lirimin e tij.

“Ky pushtet po e zapton mëtutje mediumin publik dhe po iu bën presion mediave tjera. Ky pushtet menjëherë pas instalimit ka filluar t’i shantazhojë dhe t’i kërcënojë edhe bizneset private. Se këtij pushteti nuk i intereson fare zgjidhja e problemeve tregon edhe sjellja e tyre me Trepçën. Duke provuar ta shpëtojnë veten nga problemet që po i krijojnë, këta i fyen edhe më tepër si minatorët, ashtu edhe gjithë qytetarët e Kosovës duke i ndryshuar vendimet e veta brenda natës dhe duke e turpëruar shtetin duke u nënshtruar”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Sipas kësaj partie, këtij pushteti nuk i intereson fare fakti i hidhur se qytetarët tanë po ikin nga vendi, sepse e kanë humbur shpresën për jetë më të mirë.

“Në vend se të fillojnë të gjejnë zgjidhje për hallet e qytetarëve, ky pushtet, prapë, provon ta relativizojë problemin duke u sjellë kinse asgjë serioze nuk po ndodh. Ky pushtet e ka nisur punën me mashtrim dhe me mashtrim po vazhdon. Aleanca beson se në demokraci qytetarët kanë të drejtë të protestojnë kur pushteti fillon t’i cenojë interesat e tyre. Shteti është i qytetarëve e jo i pushtetit. Në këto rrethana qytetarët më shumë se kurrë kanë arsye për të protestuar kundër ngulfatjes së lirisë dhe perspektivës së tyre për një jetë më të mirë. Për këto arsye Aleanca i mbështet dhe do t’iu bashkohet protestave gjithpopullore”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e AAK-së.