Home Aktuale A po përgatitet largimi i Albin Kurtit nga posti i Kryetarit të...

A po përgatitet largimi i Albin Kurtit nga posti i Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje?

74
0
SHARE

Diplomatë të rëndësishëm në Prishtinë ka kohë që diskutojnë hapur me rrethin e Shpend Ahmetit për mundësinë që ky i fundit të vjen në krye të Lëvizjes Vetëvendosje.

Fitorja e parë e Vetëvendosjes, ajo e 1 dhjetorit 2013 në Prishtinë, për shumëkënd ishte interpretuar si humbja e parë më e madhe e kreut të kësaj partie, Albin Kurtit. Fitorja e Ahmetit, natyrshëm, nënkuptonte se Kurti ngadalë po humbiste fuqinë brenda subjektit që e kishte themeluar vetë.

Ato ditë, kjo ishte mohuar kategorikisht nga fituesit; Shpend Ahmeti dhe ish-feristët, ashtu sikurse edhe nga “garda e vjetër”; Albin Kurti apo Glauk Konjufca.

Megjithatë, në ndërkohë gjërat kanë lëvizur.

Kështu, një diplomat i rëndësishëm në Prishtinë ka thënë në kushte anonimiteti për Gazetën Express se mundësia që Shpend Ahmeti të vjen në krye të Lëvizjes Vetëvendosje ka filluar të diskutohet hapur me njerëzit e tij.

“Ne kemi diskutuar me disa bashkëpunëtorë të z. Ahmeti. Është e qartë se çfarë duam ne. Ne duam që ai të marrë drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të heq nga aty Albin Kurtin”, ka thënë diplomati europian që foli në kushte anonimiteti për Express.

Sipas tij, Albin Kurti është lider me të cilin nuk mund të arrish marrëveshje për asgjë.

“Me të nuk mund të arrish asgjë. Për më tepër, me të në krye edhe Lëvizja Vetëvendosje po shkon drejt humnerës, shikoni zgjedhjet e fundit. Ne besojmë se Shpend Ahmeti është e kundërta; me të mund të arrihen marrëveshje, mund të bashkëpunosh”.

Burime të Express thonë se është kokëfortësia ideologjike e Kurtit dhe humbja e thellë e Vetëvendosjes në të gjitha komunat e vendit, përpos Prishtinës, që e ka zbehur pozitën e tij si lider i partisë. Pikërisht është kjo arsyeja që është duke u kërkuar një alternative, që në rastin më të mirë është Shpend Ahmeti.

Ai ka shtuar është edhe një arsye se pse duan largimin e Albin Kurtit.

“Në Bruksel shumëkush beson se Shpend Ahmeti mund të jetë prej liderëve që i prijnë ndryshimeve të domosdoshme në skenën politike të Kosovës. Qartësisht, Albin Kurti nuk është i tillë”, shtoi ai.

Bashkëpunëtorë të Shpend Ahemtit, të kontaktuar nga Express, nuk kanë mohuar se tema të tilla janë diskutuar me takime joformale me diplomatë.

Po si do të mund të anashkalohet Albin Kurti?

Rast ideal janë zgjedhjet e sivjetshme parlamentare, që sipas gjitha gjasave, mbahen në qershor.

“Në Vetëvendosje tashmë ekziston një plan konkret për këto zgjedhje, dhe pika kryesore është kjo: Shpend Ahmeti. Pra, ne duam që Vetëvendosje të bëjë fushatë të ngjashme me atë të z. Ahmetit, fushatë që rezultoi e suksesshme”, ka thënë një zyrtar i VV’së në kushte anonimiteti për Express.

Ka kohë që zyrtarët e Vetëvendosjes nuk e përmendin Bashkimin Kombëtar, tani flasin për Republikën e Tretë, ndërkohë që kanë hartuar edhe Alternativën Qeverisëse.

“Një sërë personalitetesh të reja ndërkaq pritet të futen në listën për deputetë të Vetëvendosjes. Përmes këtyre prurjeve, sigurisht forcohet krahu i Shpend Ahmetit”, ka thënë burimi i gazetës.

LEAVE A REPLY