Home Aktuale BFI zgjedh Muftiun e Shkupit dhe Sekretarin e Përgjithshëm

BFI zgjedh Muftiun e Shkupit dhe Sekretarin e Përgjithshëm

115
0
SHARE

Në mbledhjen e Rijasetit të mbajtur më datë 22 Maj 2015, në të cilin morën pjesë të gjithë anëtarët e Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame, u diskutua në lidhje me shqyrtimin e ankesës të paraqitur ditë më parë nga ana e të shkarkuarve, e cila njëzëri u hodh poshtë nga anëtarët e Rijasetit dhe në formë të prerë nga të gjithë pjesëmarrësit u vendos që Bashkësia Fetare Islame, ta vazhdojë aktpadinë e saj kundër akteve të dhunshme, bazuar në Kodin Penal vendor.
Gjithashtu u diskutua edhe rreth dy pozicioneve të lëna hapur, zgjedhjen e Myftiut të ri të Shkupit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkësisë Fetare Islame. Theks i veçantë në mbledhje iu dha ngjarjeve të fundit në BFI dhe vendeve të cilat kanë mbetur të hapura pas ngjarjeve të 04 Majit. Më pas, Reisul Ulemaja bëri prezantimin dhe propozimin e kandidatit të ri për Sekretar të Përgjithshëm të Bashkësisë Fetare Islame Irsal ef. Jakupi. Më pas, ekselenca e tij Reisul Ulemaja e hodhi në votim propozimin e tij, i cili u pranua unanimisht nga anëtarët e Rijasetit.
Përndryshe Irsal Jakupi lindi në vitin 1976 në Gostivar, ku edhe e kreu shkollën fillore. Shkollën e mesme e kreu në Medresenë Isa Beu në Shkup, ndërsa ishte nga studentët e gjeneratës së parë në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup dhe studenti i parë, me numër rendor 1 në Fakultetin e Shkencave Islame.
Momentalisht është duke ndjekur studimet postdiplomike në Fakultetin Filozofik, – në Institutin e Historisë Nacionale – dega Historia e Perandorisë Osmane.
Eksperienca e tij e punës është mjaft e madhe. Fillimisht ka filluar si Imam në xhaminë e fshatit Vërtok. Më pas ka qenë asistent në FSHI dhe referent në Muftininë e Bashkësisë Fetare Islame në Gostivar.
Ndërsa për sa i përket Muftinisë së Shkupit, u diskutua rreth emërtimit dhe zgjedhjes së Myftiut të ri të Shkupit. Nga dy kandidatët e propozuar nga Këshilli i Muftinisë së Shkupit, Rexhep Jusufi dhe Muharem Loki, u bë përzgjedhja, ndërsa si Myfti i Muftinisë së Shkupit u zgjodh Prof. Rexhep ef. Jusufi, i cili është i njohur mirë për xhamatin e Shkupit dhe më gjerë.
Rexhep Jusufi ka lindur në vitin 1953 në fshatin Nerez i Epërm. Shkollën fillore e kryer në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme në Arabinë Saudite, në Medine ku dhe e ka përfunduar edhe Fakultetin e Gjuhës Arabe – Universiteti Islamik Medine.
Fillimisht ka filluar të punojë si edukator në Medresenë Isa Beu, në vitin 1986 e më pas si profesor në Medresenë Isa Beu – Shkup. Nxënësit që kanë mbaruar Medresenë Isa Beu, me plot bindje e cilësojnë si një nga profesorët më të mirë, i cili tërë jetën e tij ua ka dedikuar arsimimit dhe edukimit të gjeneratave të reja.
Gjithashtu Mufti Rexhep ef. Jusufi ka marrë pjesë në përpilimin e librave të gjuhës arabe për vitin e parë dhe të dytë të nxënësve të Medresesë.
Shërbimi për Informim